Kuvendi i KMSHK-së mori vendime për 11 ankesa në lidhje me shkrimet në media
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMSHK-së kanë vendosur të miratohen katër nga to, një të miratohet pjesërisht, tri ankesa të shpallen të patrajtueshme dhe tri të tjera të paafatshme.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II - Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV - E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit Kapitullit VI - Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve, Kapitullit VII - Privatësia dhe mbrojtja e burimeve dhe Kapitullit X – Konflikti i interesit.
KMSHK-ja ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “I merret licenca avokatit Nasuf Hasani - publikohen audio ku dëgjohet duke share rëndë stafin e Odës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II, IV dhe X të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht konfliktin e interesit.
KMSHK-ja ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Indeksonline.net për shkrimin me titull “I merret licenca avokatit Nasuf Hasani – publikohen audio ku dëgjohet duke share rëndë stafin e Odës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMSHK-ja ka miratuar ankesën e Fjona Gashit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: U filmua duke gjuajtur me armë në aheng – 30-vjeçari paraqitet vetë në Polici në Prizren”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.
KMSHK-ja ka miratuar ankesën e Granit Çakës kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: Sherri familjar në Kaçanik del jashtë kontrollit – mesazhe kërcënuese dhe drogë në shtëpi, arrestohet i dyshuari, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë. KMSHK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Kabinetit të u.d. të Presidentes së Republikës së Kosovës kundër Klankosova.tv për shkrimet me tituj “Haxhiu e largon flamurin dardan nga Zyra e Presidencës (Video)?” dhe “Pas flamurit dardan, Albulena Haxhiu e ‘zhduk’ nga postimet edhe statujën e Ibrahim Rugovës? (Foto)”, duke konstatuar se janë shkelur pjesërisht kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMSHK-ja e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Kaltrina Gashit kundër Klankosova,tv, Paparaci.com dhe Rrafshi i Dukagjinit në Fokus, duke konstatuar se nuk janë gjetur përmbajtjet mediale për të cilat është paraqitur ankesa, andaj edhe nuk ka pasur mundësi të trajtohet.
KMSHK-ja e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Ardenisa Gashit kundër Klankosova,tv, Paparaci.com dhe Rrafshi i Dukagjinit në Fokus, duke konstatuar se nuk janë gjetur përmbajtjet mediale, për të cilat është paraqitur ankesa, andaj edhe nuk ka pasur mundësi të trajtohet.
KMSHK-ja e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Arbër Eminit kundër Plus Televizion, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e transmetuara në televizion. Pala ankuese mund t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
KMSHK-ja e ka shpallur të paafatshme ankesën e Besmire Klunës kundër Gazetablic.com, Sinjali.com, Botasot.info, Gazetaenigma.com, Syri.net, Kosova.info dhe Drenicaonline.com. KMSHK-ja e ka shpallur të paafatshme ankesën e Xhevat Mustafës kundër Sinjali.com. KMSHK-ja e ka shpallur të paafatshme ankesën e Valmir Hoxhës kundër Demokracia.com, Nacionale.com dhe Periskopi.com.