Mbi dhjetë mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025
Foto: Laura Hasani

Mbi dhjetë mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025

Aktuale June 15, 2026 - 12:36

Më shumë se dhjetë mijë qytetarë kanë përfituar shërbime të ndihmës juridike falas gjatë vitit 2025, ndërsa përfaqësues institucionalë dhe ndërkombëtarë theksuan se qasja në drejtësi mbetet një ndër shtyllat kryesore të sundimit të ligjit në Kosovë.

Këto vlerësime u dhanë në hapjen zyrtare të Javës për Ndihmë Juridike Falas, e shënuar përmes konferencës “Të bashkuar për qasje në drejtësi për të gjithë”.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se drejtësia duhet të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht gjendjes së tyre financiare.

“Ndihma juridike falas nuk është thjesht një shërbim që ofron shteti. Është një garanci që drejtësia të mos mbetet privilegj vetëm për ata që kanë më shumë para apo që e njohin sistemin, por të jetë e qasshme për secilin qytetar”, deklaroi ajo.

Sipas Gërvalla-Schwarz, qëllimi i kësaj jave është informimi i qytetarëve për të drejtat e tyre dhe mundësitë që kanë për t’i mbrojtur ato. Ajo vlerësoi punën e Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, duke theksuar se shërbimet e saj tashmë janë më pranë qytetarëve përmes zyrave rajonale, zyrave mobile dhe bashkëpunimit me organizata partnere.

“Ndihma juridike falas sot është më afër qytetarëve se kurrë më parë. Arrin te gratë viktima të dhunës, te komunitetet joshumicë, te pranuesit e ndihmave sociale, pensionistët dhe nënat vetushqyese”, tha ajo.

Duke prezantuar rezultatet e punës së institucionit, ministrja në detyrë bëri të ditur se gjatë këtij viti janë ofruar shërbime juridike falas për mbi 10 mijë qytetarë.

“Vetëm gjatë vitit 2025, Agjencia dhe organizatat partnere kanë ofruar ndihmë juridike falas për më shumë se 10 mijë qytetarë. Forcimi i këtij sistemi mbetet prioritet për Ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Gërvalla-Schwarz.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari, tha se qasja në drejtësi nuk lidhet vetëm me ekzistencën e ligjeve dhe institucioneve, por me mundësinë reale të qytetarëve për t’i realizuar të drejtat e tyre.

“Në zyrat tona nuk vijnë vetëm lëndë. Vijnë njerëz. Vijnë gra që kërkojnë mbrojtje nga dhuna, prindër që kërkojnë të mbrojnë fëmijët e tyre dhe qytetarë që luftojnë për të drejtën në pronë, pension apo dinjitet”, tha ai.

Sipas Jasharit, në shumë raste ndihma juridike falas përfaqëson kontaktin e parë të qytetarëve me institucionet dhe ndjenjën se shteti po i dëgjon.

Ndërkaq, zëvendësdrejtoresha e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në Misioni i OSBE-së në Kosovë, Tamar Khidasheli, tha se grupet e cenueshme dhe komunitetet joshumicë vazhdojnë të përballen me pengesa në qasjen në drejtësi.

“Pengesat ligjore, gjuhësore, ekonomike dhe strukturore vazhdojnë t’i pengojnë njerëzit që t’i ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të kërkojnë mjete juridike kur ato të drejta shkelen”, deklaroi ajo.

Khidasheli theksoi se informimi publik mbetet thelbësor për realizimin praktik të të drejtave ligjore.