Kurti: Prioritet konstituimi i Kuvendit, për presidentin nevojitet bashkëpunim me opozitën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se prioritet pas numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit është konstituimi i legjislaturës së re. Për sfidat që e presin këtë legjislaturë, kryeministri në detyrë ka thënë se do të bashkëpunojnë me partitë e tjera për ta zgjedhur presidentin apo presidenten.
Në Qendrën e Numërimit po vazhdon numërimi i votove nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përsëritur se pas përfundimit të këtij procesi, prioritet do të jetë konstituimi sa më i shpejtë i legjislaturës së re të Kuvendit. Kurti ka theksuar se kur te vijë koha për presidentin, kjo nuk mund të bëhet pa bashkëpunim me partitë e tjera në vend.
"Nuk e di a do të ketë ankesa, bëhet certifikimi, dhe natyrisht që ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë. Por, ndodhemi tash në këtë rrethanë dhe neve na duhet bashkëpunimi. Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes", tha ai.
E në QNR edhe të martën ka vazhduar numërimi i votave përmes postës, të cilat parashihet që të përfundojnë deri në mesjavë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se nëse gjithçka ecën sipas planit, certifikimi mund të bëhet edhe më shpejt.
"Në planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ, në fillim të këtij procesi zgjedhor, është planifikuar që shpallja e rezultateve të bëhet deri më 26 qershor, ndërkaq certifikimi i tyre deri më 6 korrik. Mund të themi se jemi në rrugë të mirë që kjo të bëhet më shpejt sesa këto planifikime", theksoi Elezi.
Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tregoi procedurat që e presin vendin pasi të përmbyllet procesi zgjedhor.
"Fillimisht duhet që ta presim certifikimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve, kështu që pas certifikimit zyrtar mandej fillojnë edhe që të rrjedhin afatet për të cilat duhet të formohen institucionet, kështu që pas certifikimit të institucioneve fillon që të rrjedh afati fillimisht për presidentin ku i kemi 60 ditë kohë që duhet vendi ta zgjedh presidentin e Republikës, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje", pohoi ai.
Nga votat e numëruara deri më tani, prin Vetëvendosje me 52 ulëse në Kuvend, PDK me 22, LDK me 19, AAK 7, Lista Serbe 9 dhe pjesa tjetër për komunitetet. /rtk