Intensifikohen kontrollet ndaj shitjes së cigareve elektronike te të miturit
Inspektorati Qendror i Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka ndërmarrë aksione inspektuese me qëllim parandalimin dhe luftimin e shitjes ilegale të cigareve elektronike për personat e mitur.
Sipas njoftimit të MINTI-t, gjatë pjesës së parë të muajit qershor 2026, inspektimet janë përqendruar kryesisht te bizneset që operojnë në afërsi të shkollave dhe që merren me shitjen e cigareve elektronike.
Kontrollet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Vushtrrisë, Ferizajt dhe Vitisë, ku inspektorët kanë verifikuar zbatimin e Ligjit Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit, në veçanti dispozitat që lidhen me shitjen e produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme.
Nga inspektimet janë evidentuar shkelje, të cilat tashmë janë në procedurë trajtimi dhe do të ndiqen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
MINTI ka bërë të ditur se IQMT do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme inspektuese në të gjithë territorin e Kosovës, me synim forcimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e të rinjve dhe kufizimin e qasjes së të miturve në produkte që mund të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre./Zëri