Haxhiu: Olimpiada Matematike Kosovë–Shqipëri, shembull i bashkëpunimit
Ushtruesja e Detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri, KAMO 2026, në Prizren.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Haxhiu tha se Prizreni e ka historinë të pranishme në çdo hap, në rrugët, shtëpitë, shkollat dhe institucionet e tij, janë ndërthurur ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe politike përgjatë historisë së kombit tonë.

“Sot, në mendjet e nxënësve që garojnë me dije, përqendrim dhe këmbëngulje po merr formë edhe një pjesë tjetër e së ardhmes, mu në qytetin e Prizrenit. Ju e dini që matematika e mëson njeriun të mos kënaqet me përshtypjen e parë. Para një problemi, ju duhet të ndaleni, t’i lexoni udhëzimet me kujdes, ta provoni një rrugë, të ktheheni mbrapsht kur ajo nuk çon askund dhe ta kërkoni zgjidhjen me durim”, u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, aty ku duket se mjafton një përgjigje, matematika kërkon edhe arsyen pse ajo përgjigje qëndron, prandaj, shtoi ajo kjo olimpiadë ka vlerë të veçantë: sepse i mëson nxënësit të mendojnë qartë, të mos dorëzohen para vështirësisë dhe ta kuptojnë se talenti rritet vetëm kur shoqërohet me punë të vazhdueshme.

“Prania juaj këtu tregon se keni talent por edhe disiplinë dhe punë. Por pas talentit dhe punës qëndrojnë edhe mësuesit që ju kanë udhëzuar, familjet që ju kanë mbështetur dhe durimi juaj për të ngadhënjyer. Sot, secili prej jush ka arsye të ndihet krenar dhe secili prej jush është fitues sepse keni arritur deri këtu përmes punës suaj, dhe ky është mësimi më i mirë që do të merrni”, theksoi Haxhiu.
Ajo më tej tha se gara do të ketë rezultate, medalje dhe renditje, siç i ka çdo olimpiadë, por përvoja që merrni prej saj do të zgjasë gjatë gjithë jetës.
Kjo përvojë, sipas U.D. presidentes do t’ju mësojë si të përballeni me presionin, si të mendoni qartë, si të pranoni sfidën dhe si të kuptoni se dija rritet bashkë me përpjekjen.
“Përmes KAMO-s, Kosova dhe Shqipëria bëhen bashkë në shkollë, te fëmijët, te mësuesit dhe te dija. Këtu shihen fëmijë që kanë punuar shumë, mësues që i kanë përgatitur me përkushtim dhe familje që i përcjellin me krenari. Kjo është një traditë e mirë, sepse talenti i fëmijëve tanë duhet zbuluar herët, duhet mbështetur dhe duhet çuar përpara”, ka thënë Haxhiu .
Haxhiu ka falënderuar organizatorët, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe Shoqatën Shqiptare të Matematikës, për punën e kujdesshme në ndërtimin e kësaj gare si dhe mësuesit, profesorët dhe prindërit, që i kanë përcjellë këta nxënës me durim, besim dhe shumë përkushtim.
“Uroj që KAMO 2026 të jetë një përvojë e bukur për të gjithë ju. Uroj që Prizreni t’ju mbetet në kujtesë si vendi që iu dha mundësi për ta dëshmuar dijen tuaj, për ta parë se rruga e dijes meriton të ndiqet me seriozitet por edhe për të krijuar shoqëri të reja. Në emër të Republikës së Kosovës, ju uroj punë të mbarë, mendje të kthjellët dhe sukses në këtë edicion të shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri”, ka thënë Haxhiu.
