Pacolli: Nuk do të ketë vendim për rampën në Prevallë pa dialog me banorët
Foto: Laura Hasani

Pacolli: Nuk do të ketë vendim për rampën në Prevallë pa dialog me banorët

Aktuale June 28, 2026 - 13:19

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se çdo vendim lidhur me vendosjen e laurës/rampës në rrugën për në Prevallë do të merret vetëm pas konsultimeve me banorët dhe palët e interesit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli tha se ka përcjellë shqetësimet e ngritura nga banorët e Prevallës dhe fshatrave përreth, duke theksuar se çështja e menaxhimit të qarkullimit do të diskutohet në mënyrë të përbashkët për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme.

"Nuk ka nevojë për protestë. Asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit", ka shkruar ajo.

Pacolli njoftoi se aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit, ndërsa paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë një takim me banorët për të dëgjuar shqetësimet dhe propozimet e tyre.

Reagimi i ministres në detyrë vjen pas shqetësimeve të shprehura nga banorët lidhur me vendosjen e një laure në hyrje të rrugës për në Prevallë.