Liria ka Emër organizon Marshin për Liri më 12 shtator në Prishtinë: “Kosova po pret”
Platforma “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë Marshin për Liri, me moton “KOSOVA PO PRET”.
Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, kur pritet të merret verdikti nga Dhomat e Specializuara në Hagë për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, në një konferencë për media kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe pasojnë Marshin për Liri. Hoxha tha se, tash e gjashtë vjet, platforma së bashku me qytetarët ka kërkuar një gjykim të drejtë.
“Dhe për gjashtë vjet e kemi parë se të gjitha aktakuzat e Prokurorisë kanë qenë të paqëndrueshme dhe janë rrëzuar një nga një.
Por, 16 shtatori duhet të jetë përfundimi i kësaj sage të errët. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë”, tha Hoxha.
Ajo njoftoi se nga nesër do të nisin dy aktivitete, “Numërimi mbrapsht” deri më 16 shtator dhe “Netët e Lirisë”.
“Aktiviteti i parë fillon nesër, në orën 10:00 në Prishtinë.
Do të vendosim një numërim mbrapsht, i cili do të numërojë kohën deri më 16 shtator, në orën 10:00, kur pritet seanca e fundit e përmbylljes së procesit në Hagë.
I njëjti aktivitet do të jetë i shtrirë në të gjitha komunat e Kosovës. Çdo orë që kalon do të na kujtojë se Kosova po pret. Pret drejtësi. Pret dinjitet. Pret çlirimtarët të kthehen në shtëpinë e vet”, tha ajo. Hoxha shtoi se aktiviteti i dytë, “Netët e Lirisë”, do të zhvillohet në shtatë zonat e UÇK-së.
“Netët e Lirisë do të jenë net të kujtesës, të rrëfimit dhe të bashkimit mes brezave për rrugën e vështirë dhe sakrificat për liri”, u shpreh Hoxha. Ndërkaq, Ismail Tasholli ftoi të gjithë spektrin politik të Republikës së Kosovës që t’i bashkohet Marshit për Liri.
“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend, Kurti, Hamza, Abdixhiku dhe Gjini, që të bëhen pjesë e Marshit për Liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim.
I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri. Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, tha Tasholli.
Tasholli njoftoi gjithashtu se platforma “Liria ka Emër” do të zhvillojë edhe një aktivitet në Hagë me diasporën shqiptare, më 16 shtator. /Zëri