Eliza Hoxha: “Marshi për Liri” u organizua edhe më 1999, e ne sot marshojmë në liri për liri
Eliza Hoxha, njëra prej organizatorëve të “Marshit për Liri”, në fjalën e saj para mijërave të pranishmëve në sheshin “Skënderbeu”, kujtoi se si 27 vjet më parë, ishin pikërisht ushtarët e UÇK-së ata që organizuan një marsh në mbarë Kosovën, i cili u quajt po ashtu “Marshi i Lirisë”.
“Shtatori i vitit 1999 e gjeti Kosovën me rrugë të mbushura me ushtarë të UÇK-së. Pas demilitarizimit të UÇK-së, ata marshuan në çdo qytetet të Kosovës në mënyrë simbolike, për të festuar lirinë për qytetarët, dhe për t’u bashkuar më pas në Prishtinë me një mesazh të vetëm: Kosova ishte e lirë, amaneti ishte në vendin e vet dhe ditë të bardha e të mira do të ishin përpara nesh”.
“Ai marsh quhej ‘Marshi i Lirisë’, dhe si për ironi, sot, 27 vjet më vonë, populli i Kosovës sot marshon për liri, marshon për liri në liri, marshon për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë, marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet”,
Ajo tha se sot po marshohet për ata që guxuan më shumë se shumica prej qytetarëve.
“Sot marshojmë me UÇK-në, për UÇK-në, sepse UÇK na bashkon, na ka bashkuar dikur, na bashkon edhe sot, na bashkon për jetë e mot”, u shpreh Eliza Hoxha, nën thirrjet e publikut “UÇK, UÇK, UÇK”.
“Nga Prishtina i themi botës, se Kosova pret drejtësi, Kosova po pret dinjitet, Kosova po e pret që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të kthehen në shtëpinë e vet”, deklaroi Hoxha.