Murati: Kurti po e shfrytëzon zgjedhjen e presidentit për ta përçarë dhe dobësuar LDK-në
Foto: Zëri

Murati: Kurti po e shfrytëzon zgjedhjen e presidentit për ta përçarë dhe dobësuar LDK-në

Aktuale September 13, 2026 - 09:53

Ligjëruesi i shkencave politike, Valon Murati, ka thënë se problemi në procesin e zgjedhjes së presidentit nuk qëndron vetëm te emrat e kandidatëve, por te mënyra se si po zhvillohen bisedimet mes partive politike.

Sipas Muratit, LDK-ja do të duhej të kishte më shumë konsensus dhe komunikim të brendshëm mes kryetarit të partisë dhe grupit parlamentar për propozimet për president.

“Unë mendoj që nuk është këtu problemi vetëm te emrat (për president), është te procesi. Pra, kemi shumë emra të pranueshëm, ka mundur të jetë i pranueshëm edhe Bekim Sejdiu, është problemi mënyra se si zhvillohen bisedimet, mënyra se si trajtohen këto çështje, mënyra se si njëra nga partitë opozitare, LDK-ja, e ka trajtuar këtë çështje duke pasur probleme të thella të brendshme të përçarjes. Është dashur të ketë më shumë konsensus, të ketë më shumë komunikim mes kryetarit edhe grupit parlamentar për propozimet, për pranimin e tyre e të tjera”, tha ai.

Murati tha se Kurti, e ka shfrytëzuar këtë proces si “diversion politik” ndaj LDK-së, duke e thelluar përçarjen brenda saj.

“Dhe pak a shumë, realisht, zoti Kurti me mjeshtri politike e ka shfrytëzuar këtë proces për një diverzion politik mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ta përçarë edhe më shumë edhe për ta dobësuar edhe më shumë, që pak a shumë, së paku në këto vitet e fundit, në 6-7 vitet e fundit, ka qenë një strategji e tij e qartë politike përveç kur nuk ka dashur ta shohë. Kështu që nuk e di, këtu e shoh më shumë pjesën e lojës politike. Nëse natyrisht shkon një kandidat që mund ta shtyjë zoti Kurti, mund të ketë dakordim. Nëse jo, ne mund të futemi në cikle kështu të vazhdueshme politike, derisa të ndryshojë kjo skemë politike, derisa zoti Kurti ta ketë shumicën për ta çuar përpara njeriun e vet”, tha ai për Ekonomia Onlie.

Murati tha se zgjedhja e presidentit ka mundur të arrihet përmes dialogut mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pa qenë domosdoshmërisht e nevojshme pjesëmarrja e partive të tjera.

“Po ato kanë pasur qëndrimet e veta politike. Të gjitha mundësitë kanë qenë që të zgjidhet presidenti në këtë dialogun midis liderit të Vetëvendosjes, zotit Kurti, dhe Abdixhikut, liderit të LDK-së. Kështu që jo domosdo pjesëmarrja e tyre (partive të tjera) ka qenë e domosdoshme. Natyrisht, ne e kemi krijuar një kulturë, e filluar prej Vetëvendosjes e përcjellë nga të gjitha partitë opozitare kur kanë qenë, që të bojkotojnë këto procese. E mira do të ishte që ne të futeshim në një binar normal të politikës, që as mos të bojkotohen këto procese. Por thjesht, kur po fillon këtu një mënyrë e mbrapshtë e politikëbërjes, qoftë edhe e opozitëbërjes, ajo po vazhdon pastaj edhe nga partitë që në një kohë kanë vuajtur për shkak se opozita është sjellë ashtu, tash kur po bëhen në opozitë po sillen në mënyrë të ngjashme”, tha Murati.

Ai e cilësoi këtë mënyrë të politikëbërjes si të keqe, ndërsa përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale ia atribuoi Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Natyrisht, është një mënyrë e keqe e bërjes politikë, por kjo është situata në të cilën ne gjendemi dhe, natyrisht që, nuk ka dyshim që përgjegjësinë kryesore e ka gjithmonë i madhi, i forti, dhe në këtë rast zoti Kurti dhe Vetëvendosja është përgjegjësia kryesore për këtë situatë, sepse ka një shumicë shumë të madhe parlamentare, nga e cila do të duhej të prodhonte edhe konsensusin, edhe bashkëpunimin me partitë e tjera politike, edhe përfshirjen e tyre në këto procese, qoftë edhe me kompromise”, theksoi Murati.