Nis sot viti i ri mësimor në Shqipëri, 25 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës

Nis sot viti i ri mësimor në Shqipëri, 25 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës

Aktuale September 14, 2026 - 08:03

Në të gjitha shkollat e vendit nis sot viti i ri mësimor, ditë me emocione sidomos për 25 mijë fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Ky vit i ri shkollor 2026-2027 vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor në të gjithë vendin kanë hapur dyert rreth 42 shkolla të reja dhe terrene sportive, ndërsa vetëm në Tiranë janë ndërtuar 8 shkolla të reja, duke krijuar më shumë mundësi që fëmijët të mësojnë dhe të zhvillohen në ambiente moderne, të sigurta dhe me standarde europiane.

MAS-i në të gjitha shkollat e vendit ka shpërndarë tekstet shkollore për vitin e ri shkollor, ndërsa për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, është pajisur me tekste shkollore të reja dhe falas.

Për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi.

Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore.

Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.

Sa i përket orareve, fëmijët e klasave të para dhe të dyta që mbarojnë mësimin në 11:30 do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:00, ndërsa ata që përfundojnë në orën 12:30 ose 13:10 do të mund të qëndrojnë deri në orën 15:00.

Një nga risitë më të rëndësishme të udhëzimit për vitin e ri shkollor 2026–2027 lidhet me mënyrën e organizimit të ditës së parë të shkollës në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare.

Dita e parë e shkollës do t’i kushtohet veçanërisht orientimit dhe informimit të nxënësve, duke i njohur ata me rregullat, normat e sjelljes dhe mënyrën e organizimit të institucionit arsimor.

Gjithashtu këtë vit shkollor sipas udhëzuesit të hartuar nga ministria e Arsimit dhe të publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar inteligjenca artificiale do të mund të përdoret si një mjet mbështetës në procesin mësimor.

Dokumenti përcakton mënyrat se si mësuesit dhe nxënësit mund të përdorin mjete të inteligjencës artificiale, përfshirë platforma si ChatGPT, Gemini dhe mjete për verifikimin e informacionit, me synimin që teknologjia të ndihmojë zhvillimin e aftësive njerëzore dhe jo t’i zëvendësojë ato.

Siguria në shkolla mbetet një tjetër prioritet i këtij viti, ku 20 shkolla të Tiranës dhe Kamzës janë pajisur me kamera inteligjente në kuadër të projektit “Smart City”. /atsh