Çfarë parasheh nisma e PDK-së për Specialen?
Foto: Laura Hasani

Çfarë parasheh nisma e PDK-së për Specialen?

Aktuale October 05, 2026 - 10:07

Derisa presim fillimin e seancës së Kuvendit, ju kujtojmë se nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara prek disa aspekte kyç të funksionimit të tyre:

* Ngushtimin e mandatit të Speciales, duke e lidhur atë me veprat specifike penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

* Kufizimin e juridiksionit penal në rastet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, si dhe me vrasje, torturë ose trajtim mizor e çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

* Ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga periudha aktuale janar 1998 - dhjetor 2000, në 1 korrik 1999 - 31 dhjetor 2000.

* Kufizimin e juridiksionit territorial vetëm në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.

* Kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, duke paraparë zbatimin e parimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin.

* Mbajtjen e dënimeve në Kosovë, në institucionet korrektuese të vendit.

* Mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara.

* Transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që nuk do të hynin më në juridiksionin e Speciales, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.

* Transferimin në Kosovë të personave të ndaluar në rastet që kalojnë tek institucionet vendore. Ata do të duhej të dilnin para një gjyqtari në Kosovë brenda 48 orësh.

* Mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.

* Rishqyrtimin e juridiksionit të çdo rasti brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Në rastet me akuza të përziera, do të transferohej vetëm pjesa që nuk hyn në juridiksionin e rishikuar.