Nagavci: Askush nuk ka të drejtë të përdorë forcë ndaj deputetëve
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas sjelljes së raportuar gjatë protestës ndaj deputetetit të kësaj partie, Fahrush Rexhepi.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka kritikuar veprimet ndaj deputetit, duke thënë se e drejta për protestë, kritika dhe kërkesa për llogaridhënie janë pjesë e shprehjes demokratike, por se ato nuk duhet të shoqërohen me përdorim të forcës fizike.
“Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci.
Në reagimin e saj, ajo ka vënë në pah edhe të kaluarën familjare të deputetit Rexhepi, duke përmendur vëllain e tij, Njazi Rexhepin, i cili sipas Nagavcit ishte pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe ra në Betejën e Koshares. Po ashtu, ajo ka përmendur edhe vëllain tjetër, Jonuz Rexhepin, si veteran të luftës dhe pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nagavci ka kundërshtuar përdorimin e emrit të UÇK-së për të arsyetuar veprime të tilla ndaj deputetëve.
“Liria për të cilën ranë dëshmorët nuk u fitua që sot, në emër të saj, të kapen me forcë deputetët e Republikës”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, Nagavci ka thënë se veprime të tilla, sipas saj, nuk përfaqësojnë mbrojtje të vlerave të luftës, por cenim të tyre.