Schuebeli mirëpret ndërrimin e komandës së KFOR-it: Të forcohet bashkëpunimi BE - NATO në Kosovë
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Forcës së NATO-s në Kosovë, KFOR, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka falënderuar gjeneralmajorin Ozkan Ulutash për mbështetjen e tij gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas njoftimit, Schuebel ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Roberto Vergori, me synimin për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Kosovë.
“Pres me kënaqësi të bashkëpunoj me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Roberto Vergori, për të forcuar më tej bashkëpunimin BE-NATO në Kosovë”, ka deklaruar ambasadori Schuebel.
Ai ka rikujtuar edhe rëndësinë e roleve që luajnë Bashkimi Evropian dhe KFOR-i në Kosovë. Sipas tij, BE-ja mbështet politikisht dhe financiarisht integrimin evropian të Kosovës, ndërsa KFOR-i ka rol kyç në ruajtjen e një mjedisi të sigurt.