Raporti i DASH-it evidentoi se viktimat e trafikimit seksual në Kosovë vijnë nga vende të ndryshme

Raporti i DASH-it evidentoi se viktimat e trafikimit seksual në Kosovë vijnë nga vende të ndryshme

Aktuale October 21, 2026 - 12:32

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), i publikuar të martën, ka vënë në pah se trafikantët në Kosovë shfrytëzojnë seksualisht gra dhe vajza nga vende të ndryshme, duke përfshirë Rumaninë, Moldavinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

DASH-i theksoi se, përveç vendeve të rajonit, viktimat e huaja të shfrytëzuara në Kosovë vijnë edhe nga Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela.

Sipas raportit, shumica e viktimave të trafikimit seksual janë vajza nga Kosova, por në mesin e personave të shfrytëzuar ka edhe shtetase të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë.

“Trafikantët shfrytëzojnë viktima për trafikim seksual në Kosovë. Ata rekrutojnë gra dhe vajza me premtime mashtruese për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare, ndërsa më pas i detyrojnë të përfshihen në shfrytëzim seksual në shtëpi private, banesa, klube nate dhe sallone masazhi”.

Raporti evidentoi gjithashtu disa standarde që Kosova ende nuk arrin t’i përmbushë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

“Institucionet kanë ndjekur penalisht më pak persona të dyshuar për trafikim. Ndërsa gjykatat kanë shqiptuar më shumë dënime me burgim, shumica e tyre kanë qenë nën minimumin e paraparë me ligjin për trafikimin me qenie njerëzore”, thuhet në raportin e DASH-it.

Një tjetër shqetësim i evidentuar në raport është moshetimi i të gjitha rasteve të lypjes së detyruar të fëmijëve si raste të trafikimit me qenie njerëzore.

“Për shkak të procedurave të pamjaftueshme për identifikimin e rasteve të lypjes së detyruar, qeveria nuk ka arritur të parandalojë në mënyrë efektive ndëshkimin e papërshtatshëm të viktimave të mundshme vetëm për veprime të kundërligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e trafikimit”.

Po ashtu, DASH-i vlerësoi se qeveria nuk ka ofruar mbështetje të mjaftueshme afatgjatë për viktimat e trafikimit, veçanërisht për fëmijët dhe personat që kanë nevojë për përkrahje psikosociale.