Vrasja e gruas në Pejë, Haxhiu: Të hetohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional
Foto: Laura Hasani

Vrasja e gruas në Pejë, Haxhiu: Të hetohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional

Aktuale October 26, 2026 - 09:35

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Ajo ka kërkuar hetim të plotë për ngjarjen, duke thënë se duhet të sqarohet edhe çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional në këtë rast, raporton Zeri.info.

“Tri ditë më parë, ajo i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime’.

Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, theksoi Haxhiu.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se do të kërkojë nga komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional.

“Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera.

Djalit të Arlindës dhe të gjithë të afërmve të saj u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, thuhet në reagimin e saj. /Zëri