Shiroka-Pula kërkon hetim urgjent dhe të paanshëm: Asnjë grua s’duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga shteti
Foto: Laura Hasani

Shiroka-Pula kërkon hetim urgjent dhe të paanshëm: Asnjë grua s’duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga shteti

Aktuale October 26, 2026 - 09:53

Vrasja e Arlinda Zekajt nga kunati i saj ka tronditur Kosovën mbrëmjen e së dielës.

Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar dhe ka kërkuar hetim urgjent, të paanshëm e profesional për zbardhjen e këtij rasti.

Në reagimin e saj, e para e vendit ka kërkuar që të gjithë të përfshirët të japin përgjegjësi, shkruan Zeri.info.

“Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte. Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj. Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve. U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që çdo rrethanë e këtij rasti të hetohet dhe drejtësia të vihet në vend”, thuhet në reagimin e Shiroka-Pulës.

Presidentja po ashtu ka bërë të ditur se secila grua që kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit nuk duhet të lihet e pambrojtur, kështu duke kërkuar përgjegjësi institucionale rreth vrasjes së Arlinda Zekajt.

“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, thuhet në reagimin e presidentes Shiroka-Pula.

“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, thekson e para e shtetit.

Reagimi i plotë i presidentes Shiroka-Pula, pa ndërhyrje:

Jam thellësisht e tronditur nga vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, rrethanat e së cilës kërkojnë hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm.

Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte. Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj.

Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve.

U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që çdo rrethanë e këtij rasti të hetohet dhe drejtësia të vihet në vend.

Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të gjithë të afërmve të saj.

Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik. /Zëri