Kurti: Shqiptarët në Serbi arritën rezultatin më të lartë që nga viti 2000
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Koalicioni Shqiptar në zgjedhjet e së dielës në Serbi ka arritur rezultatin më të lartë të votave për shqiptarët që nga viti 2000, duke marrë 27 mijë e 607 vota.
Sipas tij, ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së bashkimit të subjekteve politike shqiptare, pavarësisht dallimeve mes tyre.
Kurti ka theksuar se shqiptarët janë renditur të dytët për nga numri i votave dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, në mesin e listave të pakicave kombëtare në Serbi.
“Të dielën që lamë pas, u mbajtën zgjedhjet në Serbi, në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar morri 27.607 vota, ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se sa në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficienteve zgjedhore për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët ndër listat e pakicave kombëtare”, tha ai.

Kurti ka vlerësuar gjithashtu rezultatin e listës studentore, e cila, sipas tij, doli e para, ndërsa ka thënë se koalicioni i presidentit serb Aleksandar Vuçiq e humbi shumicën parlamentare dhe lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.
“Në anën tjetër, Lista Studentore doli e para. Koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Shexhelit, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Ky rezultat kaq i mirë për shqiptarët vjen natyrisht si rezultat i bashkimit të të gjitha forcave në një, për çka e falënderoj secilin subjekt politik atje për vullnetin e tyre që përkundër dallimeve të bashkohen për një kauzë tejet të rëndësishme siç është jeta më e mirë, më e drejtë dhe më e dinjitetshme e shqiptarëve”, tha ai.