Një ëndërr e bërë realitet, lindet foshnja e parë nga IVF-ja në QKUK

Një ëndërr e bërë realitet, lindet foshnja e parë nga IVF-ja në QKUK

Aktuale November 05, 2026 - 14:37

Një ëndërr e pritur për gjashtë vjet është bërë realitet sot për 31-vjeçaren, e cila është bërë nënë përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF) në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Ajo ka sjellë në jetë një vajzë, duke shënuar lindjen e parë në sektorin publik në Kosovë pas shtatzënisë së realizuar përmes procedurave të IVF-së.

Pas gjashtë vitesh përballje me infertilitetin dhe trajtimeve të shumta, gruaja iu drejtua Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku dhe arriti të realizojë dëshirën e saj për t’u bërë nënë.

E emocionuar dhe me lot gëzimi, vetëm pak orë pas lindjes, ajo ka rrëfyer lumturinë për ardhjen në jetë të vajzës së saj, duke vlerësuar edhe përkushtimin e stafit mjekësor.

“Jam tej mase e lumtur. Stafi ka qenë shumë i mirë dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Është një emocion shumë i madh, nuk di ta përshkruaj”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka konfirmuar se kjo është lindja e parë në QKUK pas një shtatzënie të realizuar përmes procedurave të IVF-së në sektorin publik.

Ai ka bërë të ditur se lindja është kryer me prerje cezariane, ndërsa nëna dhe foshnja janë në gjendje stabile.

“Pacientja është 31-vjeçare dhe ka qenë gjashtë vjet në infertilitet. Në klinikën tonë ka ardhur para një viti, ku pas të gjitha procedurave, ekzaminimeve dhe stimulimit, është realizuar mbarësimi. Sot, pas një viti, kemi këtë lindje të parë”, ka deklaruar Ndrejaj.

Ai ka njoftuar se foshnja është vajzë, me peshë 3.300 gramë, dhe se gjendja shëndetësore e saj dhe e nënës është shumë e mirë.

Duke folur për rezultatet e repartit të IVF-së, Ndrejaj ka bërë të ditur se interesimi i çifteve që përballen me probleme të fertilitetit është shumë i madh.

Sipas tij, deri më tani mbi 2 mijë e 700 raste, përkatësisht çifte, kanë kërkuar ndihmë në këtë repart. Ai ka bërë të ditur se janë realizuar mbi 38 transfere të embrioneve, ndërsa janë konfirmuar 11 shtatzëni përmes procedurave të IVF-së.

Ndrejaj ka vlerësuar se këto rezultate kanë tejkaluar pritshmëritë e stafit mjekësor, duke shprehur bindjen se në vitet në vijim do të ketë edhe më shumë suksese.

“I ka tejkalu pritshmëritë tona. Besoj që jemi në rrugë të mirë që të ketë sukses. Mund të themi se pas kësaj lindje që sot ka ndodh mbas procedurave të IVF së jemi në rrugë të mirë dhe suksesi është evident. Besoj që në vitet që vijnë do të kemi sukses dhe më të madh. Prej 36 transfereve ti kemi 11 shtatzani të konfirmuara është sukses shumë i madh”, ka thënë Ndrejaj.

Sa i përket kostos, drejtori ka theksuar se dy tentativat e para për IVF në QKUK ofrohen plotësisht falas, pa asnjë shpenzim për pacientët. Ndërsa, në rastet kur nevojiten tentativa e tretë apo e katërt, aplikohet një çmimore me kosto shumë më të ulët krahasuar me klinikat private.

Ndrejaj ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen pacientet mbi moshën 40-vjeçare, veçanërisht rastet kur nevojitet përdorimi i qelizave dhuruese. Ai ka thënë se aktualisht kjo nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së bazës ligjore, ndërsa ka shprehur shpresën që ligji përkatës, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, të miratohet sa më shpejt. /indeksonline