Cadillac One, një bunker me katër rrota – njihuni me sekretet e ‘Bishës’, makinës së presidentit amerikan

Cadillac One, një bunker me katër rrota – njihuni me sekretet e ‘Bishës’, makinës së presidentit amerikan

Auto&Tech October 31, 2021 - 23:24

Makina e përdorur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, megjithëse mund të duket si një makinë si shumë të tjera, në fakt është një lloj “anije kozmike”.

“Cadillac One” njihet gjithashtu si “Bisha”. Dhe arsyeja është e qartë: është një bunker i vërtetë me 4 rrota.

Ajo, siç shkruan agjencia Ansa, përcjell Telegrafi, mund të përballojë një sulm kimik, një sulm zjarri,… – falë shtresës me trashësi më shumë se 20 centimetra.

Falë karakteristikave të kornizës së përforcuar që e bën atë të peshojë rreth 8.5 ton, “Bisha” nuk përmbyset në rast përplasjeje.

Ajo është gjithashtu e pajisur me një sistem të sofistikuar të shikimit të natës që u lejon atyre që janë pas timonit të ecin me shpejtësi të plotë edhe me fenerët e fikur dhe në mes të natës.

Dritaret përbëhen nga pesë shtresa 13 centimetra të trasha dhe nuk është e mundur të hapen përveç asaj të shoferit, por vetëm për një hapje prej 8 centimetrash.

Po sipas mediumit në fjalë, “Bisha” është e pajisur me një motor turbo-dizel me 6 cilindra, por për shkak të peshës së tij mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 100 km/h duke konsumuar 1 litër naftë çdo 500 metra.

Rezervuari është sigurisht rezistent ndaj shpërthimit, i ndërtuar nga një material i veçantë i veshur me një shkumë rezistente ndaj flakës.

Midis sistemeve të ndryshme të sigurisë, “Cadillac One” përmban doreza të elektrizuara dhe lloje të ndryshme gazi dhe tymi që mund të lëshohen rreth e qark makinës.

Ajo, përcjell Telegrafi, ka goma të posaçme dhe sikur të mos mjaftonte kjo, disqet janë ndërtuar në atë mënyrë që edhe nëse gomat janë plotësisht të papërdorshme, shoferi do të ishte në gjendje të vazhdonte të voziste, një teknologji më e avancuar sesa makinat aktuale në prodhim.

Falë pajisjeve elektronike, siç është rasti me Air Force One dhe Marine One, presidenti mund të kontrollojë drejtpërdrejt të gjitha forcat e tij të armatosura dhe armatimin bërthamor amerikan, si dhe të qëndrojë në kontakt të ngushtë me bashkëpunëtorët e tij në çdo cep të botës.

Ekziston edhe një çantë e ndihmës së parë në makinë që përfshin një qese gjaku (e njëjtë me të presidentit) në rast se nevojitet një transfuzion, e cila gjendet në frigorifer në bagazh.

Versioni i fundit i “Cadillac One” iu dorëzua Shërbimit Sekret Amerikan në shtator të vitit 2018 dhe kushton 1.5 milion dollarë.