Opsioni i ri në WhatsApp i bën bisedat edhe më argëtuese
Adhuruesit e “meme”-ve tani kanë edhe një platformë tjetër për të shfaqur krijimtarinë e tyre. WhatsApp ka shtuar opsionin për të krijuar, ndryshuar dhe shpërndarë ‘stickers’ të personalizuar sipas shijeve tuaja, pa qenë nevoja për programe shtesë.
Për të krijuar një ‘sticker’ nga një imazh, hapni aplikacionin WhatsApp dhe bisedën ku doni ta dërgoni. Klikoni në seksionin e ‘stickers’ që ndodhet në të djathtë të hapësirës për të shkruar.
Klikoni “krijo sticker” dhe zgjidhni një foto nga galeria. Do të shfaqen disa mjete pune që ju lejojnë të punoni imazhin sipas dëshirës, të prisni, shkruani, vizatoni dhe vendosni foto të tjera. Kur të jeni kënaqur me krijimin tuaj, shtypni “send” për ta dërguar.
Pasi ta keni dërguar, ‘sticker’-i do të gjendet automatikisht në seksionin e veçantë kështu që mund ta përdorni sa herë keni dëshirë. Ju mund ta ndryshoni çdo herë duke e mbajtur shtypur dhe klikuar “edit” përpara se ta dërgoni sërish.
Opsioni është i disponueshëm në WhatsApp Web dhe në ditët në vazhdim do të jetë edhe për iOS 17, por ende nuk ka një njoftim zyrtar për pajisjet Android./tvklan.al