
Google detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim një burri, pasi e fotografoi lakuriq
Një burrë argjentinas fitoi së fundmi një betejë ligjore kundër gjigantit të teknologjisë Google, pasi u fotografua lakuriq në oborrin e tij dhe më pas u postua në Google Street View që të gjithë ta shihnin.
Edhe pse padia e ngritur nga burri i paidentifikuar përfundoi vetëm së fundmi, incidenti daton që nga viti 2017, kur një veturë e Google Street View kaloi nëpër Bragado, një qytet i vogël argjentinas rreth 200 kilometra larg Buenos Aires, pikërisht kur një burrë vendas ishte krejtësisht lakuriq në pronën e tij.
Fotot e bëra nga sistemi i avancuar i kamerave të veturës e kapën atë nga pas, duke treguar të pasmet e tij, dhe edhe pse fytyra e burrit nuk ishte e dukshme, adresa shumë e qartë e rrugës në fotografi e bëri atë objekt talljeje të qytetit.
I lodhur duke duruar talljet, burri e çoi Google në gjykatë për shkelje të privatësisë së tij, shkruajnë mediat e huaja.
Një gjykatë e shkallës së parë e rrëzoi padinë vitin e kaluar, duke vendosur se burri argjentinas ishte përgjegjës për situatën sepse ai po “ecte në kushte të papërshtatshme në oborrin e tij”, por në apel, gjykata vendosi në favor të paditësit, duke argumentuar se Google kishte “ndërhyrë” në sferën private të paditësit, “duke minuar dinjitetin e tij”.
Kompania e teknologjisë pretendoi se gardhi i burrit ishte shumë i ulët për të mbrojtur lakuriqësinë e tij, por një hetim zbuloi se muri ishte mjaftueshëm i lartë, kështu që ky argument u hodh poshtë.
“Askush nuk dëshiron t’i duket botës ashtu siç e krijoi Zoti”, thuhej në vendim, duke shtuar se Google ishte plotësisht e vetëdijshme për detyrimin e saj për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, siç dëshmohet nga politika e turbullimit të fytyrave dhe targave në Google Street View.
Megjithatë, në këtë rast, numri i qartë i rrugës i dukshëm në platformë e bëri shumë të lehtë identifikimin e burrit të zhveshur.
Dhoma Kombëtare e Apelit Civil të Buenos Airesit ka urdhëruar Google t’i paguajë paditësit 16 milionë peso, ose mbi 12.000 euro, në kompensim për dëmet në dinjitetin e tij.