Ndërron jetë në moshën 97-vjeçare astronauti i njohur amerikan, komandanti i misionit Apollo 13

Ndërron jetë në moshën 97-vjeçare astronauti i njohur amerikan, komandanti i misionit Apollo 13

Auto&Tech August 08, 2025 - 22:18

Astronauti i njohur amerikan dhe komandanti i misionit të famshëm Apollo 13, Jim Lovell, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.

Në një postim në rrjetin X, NASA shkroi: “Jemi të pikëlluar nga ndarja nga jeta e Jim Lovell, komandant i Apollo 13 dhe veteran i katër fluturimeve hapësinore. Jeta dhe puna e tij kanë frymëzuar miliona. Guximi i tij në kushte të jashtëzakonshme ndihmoi në ndërtimin e rrugës sonë drejt Hënës dhe më tej – një rrugëtim që vazhdon edhe sot.”

Lovell ishte një nga astronautët më me përvojë të NASA-s gjatë dekadës së parë të agjencisë, duke kryer katër fluturime hapësinore – në misionet Gemini 7, Gemini 12, Apollo 8 dhe Apollo 13.

Ai u bë i njohur në mbarë botën pas incidentit të Apollo 13 në vitin 1970, ku pas një shpërthimi në një rezervuar oksigjeni, misioni u kthye nga një tentativë për të zbritur në Hënë në një përpjekje dramatike për mbijetesë. Lovell, bashkë me astronautët Fred Haise dhe Jack Sëigert, ndodhej rreth 320,000 kilometra larg Tokës kur ndodhi shpërthimi. Ata kaluan katër ditë në një modul të vogël hënor, në kushte të ftohta dhe me burime të kufizuara, duke punuar ngushtë me inxhinierët dhe kontrollorët në Tokë për të gjetur një mënyrë për t’u kthyer të gjallë.

Edhe pse nuk arriti të ecë mbi sipërfaqen e Hënës, Jim Lovell mbeti një figurë qendrore e historisë së eksplorimit hapësinor dhe simbol i kurajos dhe profesionalizmit në përballje me rrezikun ekstrem.