Mblidhen gati 1.5 milion nënshkrime për t’i shpëtuar videolojërat

Mblidhen gati 1.5 milion nënshkrime për t’i shpëtuar videolojërat

Auto&Tech September 17, 2025 - 10:13

Fushata “Stop Killing Games” ka mbledhur pothuajse 1.5 milion nënshkrime për të ndaluar mbylljen e video-lojërave online.

Tani organizatorët po përgatiten për një takim me Komisionin Evropian dhe po luftojnë për të drejtat e lojtarëve. Iniciativa po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje, dhe pasi në muajin korrik arriti mbi një milion nënshkrime, tani po i afrohet takimeve kyçe me ligjvënësit evropianë.

Sipas portalit Engadget, lëvizja ka siguruar rreth 1.45 milion nënshkrime, të cilat aktualisht po verifikohen nga organizatorët. Qëllimi është të mbrohen të drejtat e lojtarëve dhe të sigurohet qasje e përhershme në videolojëra – edhe pasi zhvilluesit ndalojnë përkrahjen për to.

Shkaku që ndezi zemërimin e komunitetit ishte veprimi i kompanisë Ubisoft, e cila hoqi lojën The Crew nga platformat digjitale dhe ndaloi qasjen në të, edhe për ata që e kishin blerë legalisht.

Megjithëse fillimisht pati shqetësime për vlefshmërinë e nënshkrimeve të mbledhura, organizatorët tani raportojnë se rreth 97 për qind e tyre janë të vlefshme, sipas rezultateve preliminare.

Sipas rregullave të Komisionit Evropian, autoritetet e BE-së kanë një afat 3-mujor për të verifikuar nënshkrimet pas dorëzimit të tyre. Organizatorët kanë njoftuar se do ta dorëzojnë peticionin personalisht pranë Komisionit Evropian.

Duke qenë se është tejkaluar pragu minimal prej një milion firmash të vlefshme, hapi i radhës është organizimi i takimeve me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Pas dorëzimit zyrtar të iniciativës, Bashkimi Evropian do të ketë 6 muaj kohë për të vendosur rreth hapave të mëtejshëm lidhur me fushatën “Stop Killing Games”. Ekziston rreziku që institucionet të mos ndërmarrin masa konkrete, por organizatorët janë shprehur se “po përgatiten që ta bëjnë të pamundur injorimin e kësaj nisme”.

Në kuadër të përgatitjeve për takimet, ata planifikojnë të kontaktojnë anëtarët e Parlamentit dhe Komisionit, si dhe të kundërshtojnë aktivisht dezinformimin dhe lobimin nga industria e lojërave.

Për momentin, fushata do të vazhdojë me postime më të shpeshta dhe informim të komunitetit nëpërmjet kanalit të tyre në Discord dhe rrjeteve sociale.