
Indeksi i Inteligjencës 2025: Tajvani dhe Hong-Kongu kryesojnë botën, Shqipëria në vendin e 104-t
Një analizë e re e publikuar nga Trading Platforms, bazuar në të dhënat e OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), ka nxjerrë renditjen e vendeve me popullsitë më inteligjente në botë. Studimi kombinon treguesit e performancës në shkencë, matematikë dhe lexim (PISA 2022), normat e botimeve shkencore, si dhe koeficientin mesatar të inteligjencës (IQ) për të ndërtuar një panoramë të gjerë të nivelit njohës global.
Në krye të listës ndodhen Tajvani (107.10) dhe Hong Kongu (107.06), të ndjekura nga Koreja e Jugut, Japonia, Singapori dhe Mongolia duke konfirmuar dominimin e vendeve aziatike në fushën e arsimit dhe inteligjencës.
Ndërkohë, në nivel evropian, Spanja kryeson me një IQ mesatare prej 102.3, duke lënë pas Francën (101.4), Gjermaninë (100.9) dhe Italinë (100.8).
Në anën tjetër, Shqipëria renditet në vendin e 104-t, me një rezultat rreth 82 pikë, shumë më poshtë se mesatarja evropiane. Kjo tregon nevojën për përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e arsimit dhe në prodhimin shkencor.
Në analizën e Trading Platforms, Indeksi i Inteligjencës së Kombeve llogaritet përmes tre variablave kryesorë:
Indeksi i IQ-së së popullsisë
Rezultatet e testimeve PISA 2022
Numri i botimeve shkencore për milion banorë
Sipas analistit Martin Tunchev, “Një IQ mesatare e lartë zakonisht çon në performancë më të mirë arsimore, e cila nga ana tjetër rrit prodhimin shkencor dhe inovacionin. Shtetet aziatike si Singapori, Tajvani, Japonia dhe Koreja e Jugut janë shembuj të këtij cikli të virtytshëm, ndërsa vendet si Estonia, Finlanda dhe Zvicra dëshmojnë se investimi i qëndrueshëm në arsim përkthehet në rritje të kapaciteteve njohëse të popullsisë”.
Top 10 vendet më të zgjuara në botë sipas Indeksit të Inteligjencës 2025:
Tajvani – 107.10
Hong-Kongu – 107.06
Koreja e Jugut – 106.43
Japonia – 106.40
Singapori – 105.14
Mongolia – 102.86
Australia – 102.57
Spanja – 102.30
Zelanda e Re – 102.08
Sllovenia – 101.96.
Ndërkohë, Estonia mbetet kampione në Evropë për performancën e nxënësve 15-vjeçarë, me 516 pikë në testet PISA 2022, një nivel që e vendos ndër më të mirët edhe në shkallë botërore. /KultPlus