BE-ja mbështet kufizimin e aksesit në rrjete sociale për të miturit
Udhëheqësit e BE-së janë shprehur në favor të vendosjes së kufizimeve të moshës për akses në platformat e mediave sociale, por e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend t’ia dorëzojnë kompetencat e tyre kombëtare për këtë çështje Brukselit.
“Këshilli Evropian thekson rëndësinë e mbrojtjes së të miturve, përfshirë edhe përmes një moshe digjitale të shumicës – duke kufizuar aksesin në media sociale të fëmijëve, dhe respektuar kompetencat kombëtare”, thuhet në deklaratën e miratuar dje në samitin e BE-së, në Bruksel.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kohët e fundit i dha një vrull të ri debatit me thirrjen e saj për një moshë minimale në të gjithë BE-në – për përdorimin e mediave sociale.
Von der Leyen ka krahasuar kufizimet e mundshme të moshës për mediat sociale me kufizimet në konsumin e duhanit dhe alkoolit.
Ajo gjithashtu përmendi Australinë, ku parlamenti miratoi legjislacionin në nëntor 2024 që kufizon aksesin në mediat sociale për fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas rregullave të reja, vetëm përdoruesit e moshës 16 vjeç e lart do të lejohen të hyjnë në platforma. Masa do të hyjë në fuqi në dhjetor.
Komisioni Evropian po punon tashmë mbi themelet teknike për kufizimet e moshës. /abcnews