Australia padit “Microsoft”-in për rritje të çmimeve pas integrimit të inteligjencës artificiale “Copilot”
Autoriteti australian për konkurrencë dhe konsumatorë (ACCC) ka ngritur padi kundër gjigantit teknologjik Microsoft, duke e akuzuar për mashtrim ndaj miliona klientëve përmes rritjes së çmimeve të abonimeve të shërbimit Microsoft 365 pas përfshirjes së mjetit të inteligjencës artificiale "Copilot".Sipas padisë, që nga tetori i vitit 2024, Microsoft ka mashtruar rreth 2.7 milionë përdorues, duke i bërë të besojnë se duhej të kalonin në planet më të shtrenjta “Personal” dhe “Family” të Microsoft 365 që përfshinin Copilot-in. Me këtë ndryshim, çmimi vjetor i planit “Personal” u rrit me 45%, duke arritur në 159 dollarë australianë (rreth 103 dollarë amerikanë), ndërsa ai i planit “Family” u rrit me 29%, në 179 dollarë australianë.
ACCC thekson se kompania nuk i kishte njoftuar qartë konsumatorët se ekzistonte ende një version më i lirë i quajtur “Classic”, pa Copilot. Sipas rregullatorit, kjo mundësi shfaqej vetëm pasi përdoruesit fillonin procesin e anulimit të abonimit – një praktikë që, sipas ligjit australian të konsumatorit, përbën mashtrim për shkak të mosshpalosjes së informacionit thelbësor dhe krijimit të përshtypjes së rreme për mungesë alternative.
Në komunikimet e saj zyrtare përmes emailit dhe blogut, Microsoft kishte informuar vetëm për rritjen e çmimeve në rinovimin automatik, pa përmendur opsionin më të lirë.
Një zëdhënës i Microsoft-it tha për mediat se kompania “po shqyrton me kujdes pretendimet e ACCC-së”.
Ndërkohë, rregullatori australian kërkon nga gjykata dënime financiare, kompensime për konsumatorët, ndalime ligjore dhe mbulimin e shpenzimeve gjyqësore ndaj filialit të Microsoft-it në Australi dhe kompanisë mëmë në SHBA, raporton Reuters përcjell Dukagjini.
Sipas ligjit australian, dënimi maksimal për çdo shkelje mund të jetë deri në 50 milionë dollarë australianë, ose 30% e të ardhurave të kompanisë gjatë periudhës së shkeljes, në rast se përfitimet e sakta nuk mund të përcaktohen.
“Çdo ndëshkim do të përcaktohet nga Gjykata, në varësi të gjetjeve të saj,” thuhet në njoftimin e ACCC-së, e cila ka bërë të ditur se nuk do të komentojë mbi masat që gjykata mund të ndërmarrë.