Shkencëtarët zbulojnë një galaktikë të re gjigande
Shkencëtarët indianë kanë zbuluar një galaktikë të re gjigande spirale që u formua 12 miliardë vjet më parë dhe i ngjan “Rrugës së Qumështit”
Shkencëtarët indianë përmes analizës së të dhënave nga Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s, zbuluar ekzistencën e një galaktike të re që u formua kur universi ishte vetëm 1.5 miliard vjeç dhe struktura spirale e së cilës i ngjan “Rrugës së Qumështit”.
Profesori Yogesh Wadadekar i Qendrës Kombëtare për Radio Astrofizikën në Institutin Tata të Kërkimeve Themelore tha se ata e quajtën galaktikën “Alaknanda”, sipas një lumi në Himalaje.
Ai tha se lëvizjet e galaktikës do të japin të dhëna të rëndësishme se si u formuan krahët spiralë. Ai shtoi se faza tjetër e hulumtimit, e botuar në nëntor në revistën “Astronomy and Astrophysics” do të shqyrtojë kinematikën e strukturës së gazit dhe yjeve të galaktikës.
Anëtarja e ekipit kërkimor, Rashi Jain thotë se “struktura e jashtëzakonshme” e galaktikës ka habitur botën shkencore. “Galaktika ka ngjashmëri të habitshme me ‘Rrugën e Qumështit’. Megjithatë, galaktikat që u formuan kaq herët pritej të ishin kaotike, të nxehta dhe të shtrembëruara në aspektin strukturor”, tha ajo.
“Gjetja e një galaktike spirale kaq të formuar mirë në një moshë kaq të hershme ishte mjaft e papritur. Kjo sugjeron që strukturat komplekse në univers janë ndërtuar shumë më herët nga sa mendonim”, tha Jain.
Galaktika “Alaknanda” që daton 12 miliardë vjet më parë dhe që paraqet dy krahë spiralë të spikatur që dredhojnë rreth një fryrjeje qendrore të ndritshme, është afërsisht 30 mijë vite dritë e gjerë. Kjo galaktikë, një e treta e madhësisë së “Rrugës së Qumështit”, vlerësohet të përmbajë 10 miliardë yje.