Katër astronautë mbërrijnë në ISS
Një ekuipazh i ri ka mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), pasi NASA e solli ekipin e mëparshëm në shtëpi para kohe për shkak të një problemi mjekësor.
Katër astronautët e ”Ekuipazhit 12” u ankoruan me ISS-në në bordin e një anijeje kozmike SpaceX Crew Dragon, treguan imazhet live të publikuara nga NASA.
Ata u nisën të premten nga Cape Canaveral në Florida.
”Ekuipazhi 12” përfshin astronauten e NASA-s Jessica Meir dhe kolegun e saj Jack Hathaway, kozmonautin rus Andrey Fedyaev dhe astronauten franceze Sophie Adenot të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA).
Ky është misioni i parë në ISS për Hathaway dhe Adenot, ndërsa Meir dhe Fedyaev janë secili në fluturimin e tyre të dytë.
Ekipi do të kalojë rreth tetë muaj duke jetuar dhe duke kryer kërkime në bordin e stacionit hapësinor.
Në mesin e janarit, ”Ekuipazhi 11”, me astronautët amerikanë Zena Cardman dhe Michael Fincke, astronautin japonez Kimiya Yui dhe kozmonautin rus Oleg Platonov, u kthyen në Tokë përpara afatit për shkak të një problemi mjekësor.
Ky ishte rasti i parë i tillë në historinë e stacionit.
NASA nuk dha detaje për problemin dhe as nuk tha se cili anëtar i ekuipazhit ishte prekur.
Fillimisht ishte planifikuar një dorëzim midis dy ekuipazheve, siç është praktika standarde në ISS.
Në vend të kësaj, astronauti i NASA-s Christopher Williams dhe kozmonautët rusë Sergei Mikaev dhe Sergey Kud-Sverchkov qëndruan në bord në javët e fundit për të mbajtur operacionet në funksion.
Ekuipazhet ndërkombëtare kanë jetuar dhe kryer kërkime në bordin e stacionit hapësinor vazhdimisht për rreth 25 vjet./atsh