Meta gjobitet me 375 milionë dollarë për sigurinë e fëmijëve në platformat e saj

Meta gjobitet me 375 milionë dollarë për sigurinë e fëmijëve në platformat e saj

Auto&Tech March 25, 2026 - 18:37

Një gjykatë në Nju Meksiko ka urdhëruar që Meta Platforms të paguajë 375 milionë dollarë për keqinformimin e përdoruesve mbi sigurinë e platformave për fëmijët.

Juria gjeti se Meta i ekspozoi fëmijët ndaj materialeve seksuale dhe predatorëve seksualë, duke shkelur ligjin për Praktika të Pafavorshme.

Gjatë gjyqit 7-javor u paraqitën dokumente të brendshme të Metës dhe dëshmi nga ish-punonjës, përfshirë Arturo Bejar, i cili tregoi se përdoruesit e mitur në Instagram u shërbyen përmbajtje seksuale, përfshirë edhe vajzën e tij. Meta mohoi përgjegjësinë dhe tha se synon të apelojë, duke theksuar përpjekjet për mbrojtjen e të rinjve online.

Sipas BBC, dënimi prej 375 milionë dollarësh u bazua në mijëra shkelje, secila me gjobë maksimale 5,000 dollarë, përcjell KosovaPress. Nju Meksiko paditi Metën për “drejtime” të përdoruesve të rinj drejt përmbajtjeve seksuale dhe trafikut seksual përmes algoritmeve të rekomandimeve. Prokurori Raul Torrez e quajti vendimin “historik” dhe theksoi: “Mjaft është mjaft”.