OKB-ja: Luftëtarët e ISIS-it duhet të gjykohen ose të lirohen

OKB-ja: Luftëtarët e ISIS-it duhet të gjykohen ose të lirohen

Bota June 24, 2019 - 17:15
Detajet

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik dhe anëtarët e familjeve të tyre, të cilët janë duke u mbajtur të ndaluar në Irak dhe Siri, duhet të sillen para gjyqit ose të lirohen.

Shefja e Agjencisë për të Drejtat e Njeriut në kuadër të Kombeve të Bashkuara, Michelle Machelet, gjithashtu u bëri thirrje shteteve që të marrin përgjegjësi për qytetarët e tyre dhe t’i kthejnë ata në vendlindje, nëse ndaj tyre nuk ngrihen aktakuza për krime lufte.

Territori i fundit që mbahej nën kontroll nga ISIS-i u çlirua në mars të këtij viti, ndërsa tash rreth 55 mijë persona janë duke u mbajtur të arrestuar. Në këtë grup janë edhe mijëra të huaj. Sidoqoftë, shumë shtete kanë ngurruar t’i kthejnë ata në vendlindjet e tyre.

Këto shtete po frikësohen se ndjekja ligjore e luftëtarëve të ISIS-it është proces i vështirë dhe shumica e popullsisë së tyre është kryesisht kundër kthimit të këtyre njerëzve në vendet e origjinës.

Disa shtete gjithashtu kanë refuzuar t’ua japin shtetësinë fëmijëve të anëtarëve të ISIS-it që janë lindur në Siri dhe Irak, pavarësisht se prindërit e tyre e kanë shtetësinë e këtyre vendeve.

Zonja Bachelet tha se fëmijët në veçanti janë viktima të shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut. Ajo shtoi se rreth 29 mijë fëmijë janë të lindur në Siri dhe Irak nga prindërit që kanë luftuar për ISIS-in, shkruan “BBC”.