Kina akuzon SHBA-të se po ndërhyjnë në punët e brendshme të Hong Kongut

Kina akuzon SHBA-të se po ndërhyjnë në punët e brendshme të Hong Kongut

Bota September 20, 2019 - 11:41
Detajet

Ministria e Jashtme e Kinës akuzoi të enjten ligjvënësit amerikanë për ndërhyrje në punët e saj të brendshme, pas ftesës që ligjvënësit u bënë aktivistëve të demokracisë në Hong Kong për të dëshmuar në Kongresin e SHBA.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang tha se Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ligjvënës të tjerë amerikanë tejkaluan autoritetin e tyre duke u angazhuar me ata që ai i cilësoi separatistë të Hong Kongut.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalin inkurajimin e forcave radikale të dhunshme në Hong Kong që janë për pavarësinë e Hong Kongut dhe të ndalin gjithashtu intensifikimin e fjalëve dhe veprimeve të cilat dëmtojnë begatinë dhe stabilitetin e Hong Kongut,” tha ai në një konferencë shtypi në Pekin.

Të martën, aktivisti i njohur i Hong Kongut Joshua Wong u kërkoi ligjvënësve amerikanë të mbështesin të drejtat e njeriut dhe demokracinë në territorin gjysmë autonom kinez, duke deklaruar se, “Rreziku nuk ka qenë kurrë më i madh”.

Thirrja e zotit Wong për mbështetjen e SHBA erdhi gjatë dëshmisë në një seancë në Uashington para Komisionit Ekzekutiv të Kongresit për Kinën, ku po shqyrtoheshin zhvillimet në Hong Kong dhe roli i Kinës në krizën e atjeshme politike.

Zotit Wong iu bashkua aktivistja e njohur e Hong Kongut, Denise Ho, e cila paralajmëroi se një gërryerje e statusit të veçantë të këtij qyteti do ta inkurajonte Kinën, nëse SHBA nuk i bën presion Pekinit dhe nuk mbështet një ligj për të mbrojtur të drejtat civile të hongkongasve.

79-vjeçja Pelosi e vëzhgon Kinën që nga vitet e saj të para në Kongres, kur ajo u shfaq me ligjvënës të tjerë në Sheshin Tiananmen të Pekinit për homazhe për protestuesit që u vranë në protestat pro-demokracisë në Kinë në vitin 1989.

Ligjvënësit amerikanë do të ndërmarrin hapa javën e ardhshme për të filluar miratimin e legjislacionit që synon luftën kundër abuzimeve me të drejtat e njeriut në Hong Kong, çka synon të dërgojë sinjalin e mbështetjes afatgjatë për aktivistët e demokracisë atje.

Nëse miratohet, projektligji do të lejonte që Presidenti Donald Trump të përdorë Ligjin Magnitsky për t’i vënë sanksione autoriteteve të Hong Kongut dhe të Kinës për shkelje të të drejtave të njeriut, duke garantuar njëkohësisht se protestuesve nuk do t’u mohohet vizat e hyrjes në Shtetet e Bashkuara.

Demonstratat gjithnjë e më të dhunshme kanë dëmtuar ekonominë e Hong Kongut, e cila ishte dobësuar nga rritja e tarifave reciproke të vendosura nga Presidenti Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, ndërkohë që dy ekonomitë më të mëdha në botë përpiqen të negociojnë një marrëveshje të re tregtare.