Sot në Francë fillon greva e përgjithshme

Sot në Francë fillon greva e përgjithshme

Bota December 05, 2019 - 13:15
Lexoni më shumë detaje

Sot në Francë fillon greva e përgjithshme, ku anëtarët e pothuajse të gjitha sindikatave të sektorit publik ndërpresin punën dhe dalin në protesta kundër planeve të presidentit Emmanuel Macron për rishikimin e sistemit pensional, transmeton Anadolu Agency.

Pas protestave të "Jelekëve të verdhë" të cilat filluan një vit më parë, punonjësit e një numri sektorësh në Francë kanë paralajmëruar grevë në një afat të pacaktuar si reagim ndaj reformës rreth pensionimit të cilën e ka inicuar administrata e Macronit.

Në Paris janë vendosur 6.000 policë që do të kujdesen për sigurinë e rrugëve, megjithëse priten protesta masive në të gjithë qytetin.

Kulla e Ajfellit dhe Muezu Luvre njoftuan mbylljen e mundshme, hotelet janë pothuajse të zbrazuara ndërsa shumë turistë kanë anuluar ardhjen e tyre në një nga vendet më të vizituara në botë.

Greva më së shumti ka goditur sektorin e komunikacionit, ku janë anuluar 30 për qind e fluturimeve brenda vendit, ndërsa trenat, autobusët dhe pjesa më e madhe e rrjetit të metrosë parisiene në mëngjes nuk kanë qarkulluar. Kompania e transportit publik SNCF përmes një deklarate thekson se në periudhën nga 5 deri më 8 dhjetor në fuqi do të jetë pezullimi i shitjes së biletave.

Shumë të punësuar në Paris do të punojnë nga shtëpia ose do të marin ditë të lirë për të kaluar me fëmijët, pasi që rreth 80 për qind e punonjësve arsimorë janë hedhur në grevë.

Qindra mijëra qytetarë në të gjithë Francën pritet të dalin në rrugë ndërsa tubim është planifikuar në Paris në stacionin e trenit të qytetit Gare de l'Est, nga i cili do të vazhdojë lëvizja drejt Sheshit të Kombit. Tubimet janë ndaluar në Avenynë Champs-Elysees, rreth Pallatit Presidencial, Parlamentit dhe Katedrales Notre Dame.

Presidenti Emmanuel Macron ka anuluar përkohësisht të gjitha vizitat e jashtme për t'u përqendruar në adresimin e problemeve që do të shkaktohen nga greva e sotme.

Lista e kompanive që hynë në grevë është mjaft e gjatë, përfshirë kompanitë e transportit publik brenda dhe përreth Parisit RATP, Hekurudha franceze SNCF, kompania ajore e vendit Air France, kompania Renault. Pjesëmarrje në grevë kanë paralajmëruar edhe policët, mjekët, infermierët, punonjësit e spitalit, studentët, punonjësit e zyrës postare, avokatët, shoferët e taksistëve, shoferët, punonjësit e ambulancës dhe punonjësit dhe zyrtarët e shumë bizneseve dhe kompanive të tjera.

Qytetarët janë rebeluar kundër reformës së pensioneve, e cila, ndryshe nga kjo aktuale, parashikon një sistem universal të pensioneve, që do të thotë heqjen e dallimit midis pensionit të zyrtarëve dhe punëtorëve, si dhe privilegjeve që gëzojnë. Reforma gjithashtu parashikon që mosha e pensionit të rritet gradualisht nga 62 në 64 vjet.

Francezët njihen si një komb që kërkesat dhe kundërshtimet e tij i shpreh përmes grevave dhe protestave ndërsa vendi ka qenë më parë skenë e grevave masive. Një nga këto u zhvillua në vitin 1995, e cila zgjati tre javë dhe vendi pësoi një kolaps të plotë. Greva e sotme besohet të jetë më e madhja që nga viti 1995 dhe në të njëjtën kohë një nga më të mëdhatë në historinë e vendit.