Infektuar: 11130
Shëruar: 6817
Vdekur: 381
Arrihet marrëveshje e pjesshme ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës

Arrihet marrëveshje e pjesshme ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës

Bota December 15, 2019 - 15:16
Sidoqoftë, disa pika problematike janë lënë jashtë akordit

Bisedimet e gjata ndërkombëtare, të zhvilluara në kuadër të një samiti të Kombeve të Bashkuara në Madrid, kanë përfunduar me një marrëveshje kompromisi. Sidoqoftë, disa pika problematike janë lënë jashtë akordit.

Delegatët e lodhur nga diskutimet e gjata arritën marrëveshje për disa çështje të rëndësishme rreth rritjes së masave globale për zvogëlimin e gazrave të karbonit.

Të gjitha shtetet do të jenë të detyruara të caktojnë zotime të reja klimatike në kohën kur të mbahet samite i radhës i kësaj natyre në Glasgow të Skocisë vitin e ardhshëm.

Pas dy ditëve shtesë të bisedimeve, të cilat u mbajtën ditën dhe natën, delegatët më në fund arritën marrëveshje për plane të reja dhe të përmirësuara për luftimin e gazrave të karbonit deri në vitin e ardhshëm.

E përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe disa shtete të vogla ishullore, nisma për ambicie më të mëdha për zvogëlimin e gazrave të karbonit u kundërshtua nga disa fuqi të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë dhe Brazilin.

Sidoqoftë, kompromisi u arrit me kushtin që shtetet e pasura thjesht ta dëshmojnë mbajtjen e premtimeve për masat klimatike për vitet e kaluara.

Megjithatë, shumë pjesëmarrës në këtë samit nuk ishin të kënaqur me rezultatin e arritur gjatë bisedimeve, duke thënë se ai nuk i përgjigjet si duhet urgjencës së shpallur nga shkencëtarët, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.