Mali i Zi nuk hap kufirin me Serbinë pa u ulur atje numri i të infektuarve në 100 mijë banorë
Foto: 021.rs / Ilustrim

Mali i Zi nuk hap kufirin me Serbinë pa u ulur atje numri i të infektuarve në 100 mijë banorë

Bota May 29, 2020 - 10:44

Parlamenti i Malit të Zi, në seancën e djeshme të rregullt të sesionit pranveror, diskutoi për hapjen e kufijve pas pandemisë dhe në veçanti vendimin për moshapjen e kufirit me Serbinë.

Nënkryetari i Qeverisë malazeze, Millutin Simoviq, tha se kriteret për hapjen e kufijve të Malit të Zi do të mbesin të njëjta: 25 të sëmurë në 100 mijë banorë.

Ai ka shtuar se Serbia akoma nuk e ka plotësuar këtë kriter dhe ka shprehur besimin që në këtë vend sa më parë të ulet numri i të infektuarve, raporton Televizioni Publik i Malit të Zi.

Simoviq, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të Frontit Demokratik, Milan Knezheviq, ka theksuar se Mali i Zi gjatë pandemisë së koronavirusit ka bërë 16 mijë e 188 testime në 1 milion banorë.

“Mali i Zi dëshiron të ndjekë rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit Evropian dhe kufijtë do t’i hapë, duke pasur parasysh interesat e veta joprimare ekonomike. Interes primar i Malit të Zi është mbrojtja e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Simoviqi.

Ai ka shtuar se Serbia akoma nuk bën pjesë në grupin e atyre shteteve që kanë më pak se 25 të sëmurë në numrin e caktuar të banorëve.