“Twitter”-i fsheh postimin e Trumpit, thotë se “madhëroi dhunën”

“Twitter”-i fsheh postimin e Trumpit, thotë se “madhëroi dhunën”

Bota May 29, 2020 - 11:30

Rrjeti social "Twitter" ka fshehur një postim të presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se shkel rregullat pasi “madhëron dhunën”.

Postimi nuk është fshirë, por është mbuluar me një paralajmërim dhe mund të shihet duke klikuar mbi të.

Paralajmërimi thotë se “Twitteri ka përcaktuar se mund të jetë në interes të publikut që postimi të mbetet i dukshëm”, raporton REL-i.

Në postimin e tij presidenti tha se ai do të “dërgojë Gardën Kombëtare në Mineapolis” dhe e pasoi atë me një paralajmërim se “kur të fillojë plaçkitja, të shtënat fillojnë”.

Qyteti i Mineapolisit në SHBA është përfshirë nga protestat e dhunshme, pas vdekjes së një personi me ngjyrë, derisa po arrestohej nga policia.

Masa e "Twitter"-it vjen disa orë pasi presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që kërkon të heqë imunitetin ligjor ndaj rrjeteve sociale, si "Twitter" dhe "Facebook", për përmbajtjen që ato shpërndajnë.

Trumpi ka akuzuar rregullisht platformat e mediave sociale për shtypjen ose censurimin e zërave konservatorë.

Ai e ka akuzuar "Twitter"-in për ndërhyrje në zgjedhje, pasi më 27 maj ky rrjet social, për herë të parë, i etiketoi dy postime të presidentit amerikan Donald Trump si “të pabaza” dhe tha se ai po përhap pretendime të rreme.

Image