“Ayasofya” kthehet në xhami, falet namazi i parë

“Ayasofya” kthehet në xhami, falet namazi i parë

Bota July 11, 2020 - 22:03

Ajasofja nuk është më kishë, as një muze. Të premten në orën 20:36 u këndua ezani i parë. Pas 86 vitesh, Ajasofja kthehet sërish në xhami, me një vendim të Presidencës turke, duke anuluar kështu vendimmarrjen e Mustafa Qemal Ataturkut. Sipas autoriteteve turke, firma që e shndërroi kishën e Ajasofjas në muze nuk i përkiste Ataturkut dhe është falsifikuar.

Pas ezanit në sheshin e xhamisë së re Ajasofja u fal edhe namazi i darkës. Vendimi u prit me brohoritje dhe me ajete nga Kurani nga qytetarët e Stambollit.

Presidenti Erdogan u shpreh se faljen e parë në këtë xhami do ta bëjë namazin e të xhumasë në 24 Korrik.

“Është e drejta e popullit turk të vendosë për sa i përket territorit brenda kufijve tanë. Ashtu siç pranohet nga vende të tjera flamuri ynë, kryeqyteti apo kufijtë tanë, duhet të pranohet edhe Ajasofja si një xhami. Thjesht po e kthejmë atë objekt siç ka dashur Sulltan Mehmeti”.

Vendimi i autoriteteve turke nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët. Ajasofja është një objekt kulti që mbrohet nga UNESCO, ndaj ky institucion kërkoi që të qëndrojë si muze dhe ftoi Ankaranë zyrtare në dialog. Kryepeshkopi i Athinës u shpreh se ky vendim është një çmenduri e Turqisë që do të ndryshojë çdo rregull, ndërsa Ministri grek i Kulturës e quajti një vendim populist të Erdoganit.

Një nga objektet simbol të Krishtërimit në ish-Kostandinopojë, Ajasofja u përdor nga Sulltan Mehmeti në 29 Maj 1453 për t’u falur, pasi pushtoi Stambollin e sotëm. Pak shekuj më pas, përballë saj u ndërtua edhe ajo që njihet si Xhamia Blu nga Sulltan Ahmeti dhe bashkë me Ajasofjan janë dy nga destinacionet më të preferuara nga vizitorët në Stamboll.

Klan Plus