Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
 Përkeqësohet situata e pandemisë në botë

Përkeqësohet situata e pandemisë në botë

Bota July 11, 2020 - 22:38

Situata e koronavirusit vijon të jetë shqetësuese në mbarë botën, ku shifrat e infektimeve dhe të fataliteteve vijojnë të rriten. Matematikisht janë Shtetet e Bashkuara që mbajnë vendin e parë me rreth 3 milionë e 300 mijë të prekur dhe mbi 136 mijë viktima.

Por është Brazili që ka situatën me kritike në raport me numrin e popullsisë me mbi një milionë e 800 mijë raste dhe mbi 70 mijë të vdekur. Vetëm në 24 orët e fundit në vendin latin humbën jetën 1.214 persona. Për të mbajtur nën kontroll pandeminë, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së bëri thirrje për masa më agresive.

“Vetëm veprimi agresiv i kombinuar me unitetin kombëtar dhe solidaritetin global mund ta mundë këtë pandemi. Ka shumë shembuj në botë që kanë treguar se edhe nëse shpërthimi është shumë intensiv, ai sërish mund të mbahet nën kontroll”.

Mbretëria e Bashkuar të premten lejoi udhëtime ndërkombëtare pa karantinë në gati 60 vende me rrezik më të ulët. Kurse Spanja në 24 orët e fundit regjistroi 852 infeksione të reja, numër i lartë që prej lehtësimit të masave të karantinës.

Të enjten, numri i rasteve të reja me COVID-19 në Tokio shënoi një rekord 224 të infektuarish, më i larti që nga shpërthimi i virusit në kryeqendrën japoneze.

Në nivel global 551.046 njerëz kanë humbur jetën teksa të prekur me virusin vdekjeprurës janë mbi 12 milionë njerëz.

Tv Klan