Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Bejruti përfshihet nga protestat

Bejruti përfshihet nga protestat

Bota August 07, 2020 - 13:57

Bejruti u përfshi nga protesta të dhunshme anti-qeveritare, pak ditë pas shpërthimit të fuqishëm në portin e kryeqytetit, bilanci i të cilit është thelluar në 145 viktima e mbi 5 mijë të plagosur.

Manifestuesit akuzuan qeverinë si të korruptuar, teksa nga hetimet e deritanishme rezulton se pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve portuale për rrezikun e pranisë së nitratit të amonit, prej më shumë se 6 vitesh nuk u bë asgjë për largimin e sasisë prej mbi 2700 tonësh.

Baha Hariri, politikan libanez dhe djali i ish-kryeministrit Rafik Hariri, i ekzekutuar në atentat në vitin 2005, akuzon grupin e militantëve pro-iranianë të Hezbollahut se ka gisht në këtë tragjedi.

Mediat ndërkombëtare e citojnë atë të jetë shprehur në një intervistë se Hezbollahu kishte kontroll absolut në zonën e portit dhe aeroportit të qytetit. Militantët e këtij grupi kishin dijeni për çdo aktivitet që kryej në këto zona, shprehet djali i madh i ish-kryeministrit libanez.

Kapiteni i anijes që transportonte nitratin e amonit të prodhuar në Gjeorgji, për llogari të një fabrike eksplozivësh në Mozambik thotë se në vitin 2013, në Liban u bë një ndalesë e dyshimtë dhe e paparashikuar.

“Kemi qëndruar atje për më shumë se 10 muaj. Pronari i anijes nuk e kërkoi më ngarkesën. Sasia u shkarkua pas një viti nga anija. Qëndrimi i gjatë në port bëri që nitrati i amonit të humbte vlerat për tokën, ndërkohë që mund të ishte përdorur para këtij afati për pleh. Nuk e di pse nuk ndodhi një gjë e tillë”.

Në pyetje po merret edhe pronari i anijes, biznesmeni rus Igor Greçushkin, i cili jeton në Qipro. Në Izrael janë hedhur dyshime se lënda mund të jetë përdorur për raketat që po prodhon Hezbollahu.

Tv Klan