Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Rusia pretendon krijimin e të parës vaksinë kundër COVID-19

Rusia pretendon krijimin e të parës vaksinë kundër COVID-19

Bota August 11, 2020 - 17:02

Globi ka tashmë një vaksinë kundër COVID-19 dhe e para që e ka sjellë është Rusia, të paktën siç pretendojnë zyrtarët rusë. Presidenti Vladimir Putin njoftoi këtë të martë në një mbledhje online me zyrtarë të shëndetësisë se vaksina ishte regjistruar si prodhim rus dhe garantoi se ajo është efektive.

“Kjo vaksinë funksionon dhe ka efektshmëri të lartë, krijon imunitet të qëndrueshëm dhe e përsëris se i ka kaluar të gjitha verifikimet e nevojshme”, tha Putin.

Për të treguar se sa i bindur është në sigurinë e vaksinës së zhvilluar nga instituti shtetëror i virologjisë Gamalei në Moskë, Putin tha se mes vullnetarëve që morën pjesë në testimin e vaksinës kishte qenë edhe vajza e tij, e cila nuk kishte pasur asnjë komplikacion. Imunizimi i popullatës do të nisë në Tetor.

Vaksina aktualisht sapo ka filluar fazën e tretë dhe përfundimtare të testimit, gjatë së cilës verifikohen efektet afatgjata në ruajtjen e imunitetit ndaj virusit, periudhë gjatë së cilës mund të shfaqen edhe efektet anësore.

Faza e tretë shtrihet në një afat kohor prej disa muajsh, ndoshta edhe vitesh. Për këtë arsye, ekspertët perëndimorë të vaksinave hedhin dyshime për efektshmërinë e vaksinës.

OBSH ka paralajmëruar autoritetet ruse të mos nxitohen me imunizimin e popullatës, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme dhe të shkaktojë viktima, pasi që një vaksinë të konsiderohet e sigurtë për t’u përdorur në fushatën e vaksinimit duhet t’i kalojë të gjitha fazat e testeve tek njerëzit.

Mbi 100 vaksina po zhvillohen aktualisht në vende të ndryshme të botës, por që pritet të mos jenë gati para fillimit të vitit të ardhshëm. 

Tv Klan