Shefi i OKB-së Antonio Guterres thotë se pandemia rrezikon paqen në botë

Shefi i OKB-së Antonio Guterres thotë se pandemia rrezikon paqen në botë

Bota August 13, 2020 - 08:57

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se pandemia e COVID-19 jo vetëm që kërcënon rezultatet në luftimin e varfërisë globale dhe ndërtimin e paqes, por rrezikon të përkeqësojë konfliktet ekzistuese dhe të nxisë të reja.

Shefi i OKB-së, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit, foli mbi vështirësitë e ruajtjes së paqes gjatë pandemisë, duke thënë dhe se thirrja e tij më 23 mars për një armëpushim të menjëhershëm në konflikte në të gjithë botën, bëri që një numër i palëve ndërluftuese pushuann së luftuari.

"Megjithatë, për fat të keq, në shumë raste, pandemia nuk i shtyu palët të pezullojnë armiqësitë ose të bien dakord për një armëpushim të përhershëm", tha Guterres.

Sipas tij pandemia ka ngritur pyetje në lidhje me efektivitetin e sistemeve shëndetësore, shërbimeve sociale, besimin në institucione dhe sistemet e qeverisjes.

"E gjithë kjo do të thotë që angazhimi ynë për të mbajtur paqen është më urgjent se kurrë", tha ai.

Në muajin mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandeminë nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Rastet e para u paraqitën në Kinë në fund të vitit të kaluar për tu përhapur shumë shpejt në të gjithë botën.

Numri i të infektuarve në botë ka arritur në mbi 20 milionë, ndërsa 749,372 kanë vdekur.