Tensione të forta në mes të Turqisë dhe Greqisë, ndërhyn Merkeli

Tensione të forta në mes të Turqisë dhe Greqisë, ndërhyn Merkeli

Bota August 14, 2020 - 10:11

Tensionet midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor po rriten. Marina franceze dhe greke zhvilluan një stërvitje të përbashkët ushtarake të enjten si një sinjal drejt Turqisë për mosmarrëveshjen për të drejtat për shfrytëzimin e rezervave të gazit dhe të naftës. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan paralajmëroi nga ana e tij se kushdo që do të sulmojë anijen eksploruese turke do të paguajë një “çmim të lartë”.

Anija eksploruese turke “Oruc Reis” filloi punën të hënën. Ajo shoqërohet nga anije luftarake turke.

“Një mik i vërtetë i Greqisë”

Presidenti francez Emmanuel Macron kishte njoftuar më parë se do të forcojë praninë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor. Franca, ashtu si BE-ja, i ka kërkuar Turqisë të ndalojë shpimet për naftë dhe gaz në zonën e diskutueshme detare mes Turqisë dhe Greqisë. Macroni dhe kryeministri grek Kyriakos Micotaqis folën në telefon të mërkurën. “Emmanuel Macron është një mik i vërtetë i Greqisë dhe një mbrojtës i patundur i vlerave evropiane dhe ligjeve ndërkombëtare”, shkroi Micotaqisi më pas në frëngjisht në “Twitter”. Franca është gjithashtu njëra nga kritikueset më të mprehta të qeverisë turke për shkak të zhvillimeve në Libi.

Merkeli përpiqet të ndërmjetësojë për javë të tëra në mes të dy vendeve anëtare të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, ka tensione në rritje për pretendimet e tyre për disa zona në Mesdheun Lindor, ku mendohet se ka burime të naftës dhe të gazit. Një nga problemet është se Turqia dhe Libia kishin rënë dakord për ndarjen e zonave të tyre ekonomike në Mesdhe, por kjo bie në kundërshtim me një marrëveshje të ngjashme midis Greqisë dhe Egjiptit. Kancelarja Angela Merkel po përpiqet të ndërmjetësojë në konflikt. Një zëdhënës i qeverisë konfirmoi që Merkeli kishte biseduar përsëri të enjten në telefon me Erdoganin dhe Micotaqisin. Tema kishte qenë situata në Mesdheun Lindor, tha zëdhënësi, pa dhënë detaje të mëtejshme. /DW