Dokumentet bankare zbulojnë aktivitete trilionëshe potencialisht korruptive në SHBA
Foto: AFP/Getty Images

Dokumentet bankare zbulojnë aktivitete trilionëshe potencialisht korruptive në SHBA

Bota September 21, 2020 - 09:24

Mijëra dokumente me detaje për dy trilionë dollarë të transaksioneve potencialisht korruptive, që janë pastruar përmes sistemit amerikan financiar, kanë rrjedhur në publik nga një grup i gazetarëve ndërkombëtarë hetues.

Rrjedha e këtyre dokumenteve përqendrohet në më shumë se dy mijë raporte për transaksione të dyshimta (SARs) të paraqitura në “FinCEN” (Rrjeti i Qeverisë Amerikane për Krime Financiare), raporton “The Guardian”.

Bankat dhe institucionet tjera financiare paraqesin raporte “SARs” kur besojnë se një klient po i shfrytëzon shërbimet e tyre për aktivitet potencialisht kriminal, transmeton “Zeri.info”.

Megjithatë, paraqitja e një formulari SAR nuk nënkupton që banka duhet të ndërpresë bashkëpunimin me klientin në fjalë.

Dokumentet iu dorëzuan “BuzzFeed News”, e cila i shpërndau ato me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ).

Dokumentet thuhet se ofrojnë të dhëna për banka të mëdha, që kanë ofruar shërbime financiare për individë me rrezik të lartë nga mbarë bota e në disa raste edhe pasi janë vënë nën sanksione nga qeveria amerikane.

Sipas ICIJ-së, dokumentet japin të dhëna për më shumë se 2 trilionë dollarë transaksione nga viti 1999 deri më 2017-n.

Një nga ata që përmenden në “SARs” është Paul Manafort, një strateg politik, i cili udhëhoqi fushatën presidenciale të Trumpit më 2016-n për disa muaj.

Ai hoqi dorë nga ky rol pasi puna e tij konsultative për ish-presidentin ukrainas Viktor Yanukovych u zbulua dhe më vonë ai u shpall fajtor për mashtrim dhe evazion fiskal.

Sipas ICIJ-së, bankat nisën të ngrinin alarme për aktivitetet e ndërlidhura të Manafortit si të dyshimta nga viti 2012. Më 2017-n JP Morgan Chase paraqiti një raport për transferimet bankare në vlerë prej 300 milionë dollarësh, ku përfshiheshin “kompani guaskë” (shell companies) në Qipro, që kishin bërë biznes me Manafortin.

ICIJ-ja tha se avokati i Manafortit nuk i është përgjigjur ftesës për t’i komentuar këto çështje.

Një raport tjetër tregon në detaje për transaksionet e mbi një miliard dollarëve nga JP Morgan Chase, për të cilat më vonë banka nisi të dyshonte se ishin të lidhura me Semion Mogilevich, një bos rus i dyshuar i krimit të organizuar, i cili është në top 10 personat më të kërkuar të FBI-së.

Një zëdhënës i JP Morgan Chase tha për BBC: “Ne ndjekim të gjitha ligjet dhe rregulloret që mbështesin punën e qeverisë për të luftuar krimin financiar. Ne angazhojmë mijëra njerëz dhe qindra miliona dollarë për këtë punë të rëndësishme”.

Sipas “BBC Panorama”, banka britanike HSBC lejoi një grup kriminelësh të transferojnë miliona dollarë nga një skemë Ponzi përmes llogarive të saja, edhe pasi e kishin identifikuar si mashtrim.

HSBC tha në një deklaratë: “Nga viti 2012, HSBC u nis në një udhëtim shumëvjeçar për të rishikuar aftësinë tonë për të luftuar krimin financiar në më shumë se 60 juridiksione”. Banka shtoi: “HSBC sot është institucion shumë më i sigurt seç ka qenë më 2012”.

Në një deklaratë të lëshuar më herët gjatë këtij muaji, “FinCEN” dënoi zbulimin e dokumenteve të rrjedhura dhe tha se e ka referuar çështjen në Departamentin amerikan të Drejtësisë.