Autoriteti Shëndetësor në Norvegji përjashton lidhjen e 33 vdekjeve me vaksinën kundër COVID-19

Autoriteti Shëndetësor në Norvegji përjashton lidhjen e 33 vdekjeve me vaksinën kundër COVID-19

Bota January 19, 2021 - 10:51

33 persona kanë vdekur pasi morën dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 në Norvegji.

Autoriteti i Shëndetit Publik të Norvegjisë ka deklaruar se nuk ka ndonjë lidhshmëri mes vaksinimit me vaksinën Pfizer/BioNTech dhe vdekjeve të personave të moshuar që ishin vaksinuar, shkruan Euronews.

Midis 13 rasteve të studiuara më nga afër deri më tani, “të gjithë këta janë njerëz që ishin shumë të moshuar, me shëndet të dobët dhe kishin sëmundje të rënda përcjellëse”, tha drejtoresha e autoritetit të shëndetit publik norvegjez, Camilla Stoltenberg.

“Lidhur me shkakun e vdekjes nuk kishte asnjë analizë,” tha ajo gjithashtu.

“Gjëja më e rëndësishme është të kujtojmë se ka 45 njerëz që vdesin çdo ditë në institucione mjekësore në Norvegji. Kështu që nuk është vërtetuar që ka vdekshmëri të tepërt ose që ka të bëjë me vaksinat”.

Megjithatë Norvegjia ka përsëritur në ditët e fundit rekomandimin e saj për një vlerësim mjekësor para se vaksina të administrohet tek një person.

“Nuk është e pamundur që disa prej atyre që u ofrohet vaksinimi janë kaq të brishtë … saqë nuk ia vlen mundimi për t’i vaksinuar, sepse ata mund të shohin se gjendja e tyre përkeqësohet për shkak të efekteve sekondare normale,” tha Stoltenberg të hënën.

Autoriteti norvegjez i barnave ngriti shqetësime në fund të javës së kaluar duke pretenduar se efektet anësore të zakonshme të vaksinave si ethet dhe të përzierat, mund të “kenë kontribuar në një rezultat fatal në disa pacientë me shëndet të ligë” në vend.

Disa vende kanë raportuar vdekje pas vaksinimit, por autoritetet shëndetësore besojnë se nuk ka ndonjë lidhje me vaksinën.

Pfizer dhe BioNTech thanë të hënën AFP se ata “do të punojnë me agjencinë norvegjeze të barnave për të mbledhur të gjitha informacionet përkatëse”, duke kujtuar se fushata norvegjeze e vaksinimit filloi me të moshuarit që jetojnë në institucionet mjekësore.

“Shumica e tyre janë shumë të moshuar me sëmundje dhe disa janë rëndë të sëmurë”, thanë nga Pfizer.

Sipas llogarisë së fundit të disponueshme, më shumë se 48 mijë njerëz janë vaksinuar në Norvegji, nga një popullsi prej 5.4 milionë banorë.