Greqia nis debatin parlamentar për zgjerimin e saj me 12 milje në detin Jon
Foto: Ekathimerini

Greqia nis debatin parlamentar për zgjerimin e saj me 12 milje në detin Jon

Bota January 19, 2021 - 16:44

Kanë nisur në parlamentin grek diskutimet për projektligjin mbi zgjerimin me 12 milje në detin Jon.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias është shprehur se vendet fqinje e kuptojnë ushtrimin e të drejtës për zgjerimin e vendit.

“Italia e dinte që Greqia do të zgjeronte ujërat e saj territoriale dhe kjo nuk do të thotë se Greqia negocioi me ta. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri një deklaratë të qartë kur u kritikua nga opozita, se është një e drejtë absolute e Greqisë, ashtu si Shqipëria ka ushtruar të drejtën e saj absolute, pa pyetur Greqinë”, u shpreh ministri në parlamentin grek, raporton “Euronews Albania”.

Në mbështetje të Athinës është shprehur edhe Moska. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti deklaratën e tij të tetorit se Greqia ka të drejtë të shtrijë ujërat e saj territoriale në 12 milje detare.

Ligjvënësit grekë do të debatojnë për dy ditë rreth draft-legjislacionit që do ta zgjeronte zonën bregdetare të Greqisë (ujërat territoriale) në 12 milje detare në zonën detare të Detit Jon dhe Ishujve Jon në Kepin e Tainaros në Peloponez.