Avionët e NATO-s pengojnë bombarduesit rusë që fluturonin pranë hapësirës ajrore të Aleancës

Avionët e NATO-s pengojnë bombarduesit rusë që fluturonin pranë hapësirës ajrore të Aleancës

Bota March 31, 2021 - 10:38

Avionët luftarakë të NATO-s u detyruan të ngriheshin në mënyrë emergjente 10 herë të hënën, 29 mars 2021, për t’i përcjellë avionët bombardues dhe luftarakë rusë gjatë fluturimeve të pazakonta mbi Atlantikun e Veriut, Detin e Veriut, Detin e Zi dhe Detin Baltik.

Në përgjithësi avionët e NATO-s kapën gjashtë grupe të ndryshme të avionëve ushtarakë rusë pranë hapësirës ajrore të Aleancës në më pak se gjashtë orë.

“Pengimi i grupeve të shumta të avionëve rusë tregon gatishmërinë dhe aftësinë e forcave të NATO-s për të ruajtur qiellin aleat 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit”, tha gjenerali Andrew Hansen, zëvendësshefi i Operacioneve të Shtabit në Komandën Ajrore Aleate Ramstein në Gjermani.

Në cepin më verior aeroplanët F-16 norvegjezë u ngritën në ajër pasi radarët identifikuan dy grupe të avionëve ushtarakë rusë, që fluturonin pranë brigjeve të Norvegjisë.

Avionët norvegjezë kapën dy bombardues “Tu-95 Bear”, të cilët vazhduan të fluturonin në jug mbi Detin e Veriut, duke bërë që aeroplanët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Belgjikës të ngriheshin bashkë. Më vonë gjatë ditës aeroplanët norvegjezë “F-16” kapën dy aeroplanë rusë bombardues “Tu-160 Blackjack” mbi ujërat ndërkombëtare.

Radarët e NATO-s zbuluan gjithashtu tre aeroplanë ushtarakë rusë afër hapësirës ajrore të Aleatëve mbi Detin e Zi. Avionët luftarakë turq, rumunë dhe bullgarë fluturuan në qiell për të gjurmuar aeroplanët rusë derisa të largoheshin nga zona.

Veçmas avionët luftarakë italianë kapën një aeroplan rus “Il 38” patrullues, i cili u shoqërua nga avionë luftarakë mbi Detin Baltik duke fluturuar brenda dhe jashtë Kaliningradit.

“Burrat dhe gratë në dy qendrat e operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s në Uedem, Gjermani dhe Torrejón në Spanjë, iu përgjigjën shpejt avionëve të paidentifikuar pranë kufijve të Aleancës, duke lansuar aeroplanë luftarakë nga Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Italia, Rumania, Bullgaria dhe Turqia për të hetuar dhe mbrojtur hapësirën ajrore aleate", tha brigadieri Hansen, duke shtuar se misioni i policisë ajrore të NATO-s është një "përpjekje vërtet kolektive", thuhet në faqen e NATO-s, raporton Zeri.info.

NATO-ja thotë se avionët ushtarakë rusë shpesh nuk transmetojnë një kod identifikues që tregon pozicionin dhe lartësinë e tyre, nuk paraqesin plan fluturimi ose nuk komunikojnë me kontrollorët e trafikut ajror, duke paraqitur një rrezik të mundshëm për avionët civilë.

Avioni rus i penguar të hënën nuk hyri kurrë në hapësirën ajrore të Aleancës dhe pengimet u kryen në një mënyrë të sigurt dhe rutinore.

“Ruajtja e integritetit të hapësirës ajrore të anëtarëve të Aleancës është një detyrë në kohë paqeje, që kontribuon në mbrojtjen kolektive të NATO-s dhe bie nën përgjegjësinë e përgjithshme të komandantit suprem të aleatëve të Evropës, gjeneralit Tod Wolters”, tha NATO-ja në një komunikatë për media. /Zëri