Në Mal të Zi hyn në përdorim certifikata e vaksinimit kundër COVID-19

Në Mal të Zi hyn në përdorim certifikata e vaksinimit kundër COVID-19

Bota July 30, 2021 - 21:39

Autoritetet shëndetësore të Malit të Zi thonë se hyrja në ambiente të mbyllura të restoranteve dhe klubeve të natës si dhe diskotekave lejohet vetëm me çertifikatë që të vërtetojë se personi është vaksinuar për COVID-19, ka marrë dozën e parë të vaksinës, ka një test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se nuk ka më shumë se 180 ditë nga sëmundja me COVID-19 ose një test negativ antitrupa jo më të vjetër se 48 orë.

Këto janë kushtet, që të premten, i bëri të ditur Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi dhe që menjëherë duhet të respektohen nga të gjithë punonjësit e hotelerisë dhe të zbatohen me rastin ngjarjeve sportive, manifestimeve të ndryshme sportive dhe kulturore në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, vuri në dukje, se ato ngjarje kulturore dhe sportive që nuk mund të mbikëqyren dhe të kontrollohen duhet të shtyhen deri më 20 gusht, kur pritet të hyjnë në fuqi masat e reja kundër pandemisë.

“Mbledhjet masive dhe festivalet që nuk mund të mbikëqyren dhe kontrollohen në një hapësirë të kufizuar, shtyhen deri më 20 gusht “, tha zoti Galiq.

Këto masa, sipas z. Galiq, kanë për qëllim që të ndikojnë në vendet ku të rinjtë mblidhen, takohen dhe argëtohen në mënyrë masovike, ndërkohë që analizat më të reja tregojnë se kjo shtresë është kategoria më e infektuar.

Me këto masa të reja nuk janë të përfshirë turistët e huaj, të cilëve u lejohet hyrja në Mal të Zi pa test PCR dhe pa certifikatë vaksinimi.

Vendimi i Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi u mor pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur 143 raste të reja me COVID-19, duke e rritë numrin e rasteve aktive në 1216 të infektuar me koronavirus në Mal të Zi. /voa