Sulmi në Oslo, autoritetet: Një akt terrorist, arrestohet një 42-vjeçar

Sulmi në Oslo, autoritetet: Një akt terrorist, arrestohet një 42-vjeçar

Bota June 26, 2022 - 19:16

Oslo mbetet vend i shokuar pas sulmit të një dite më parë. Një burrë 42-vjeçar është arrestuar nën akuzën për vrasje, tentativë vrasje dhe akte terroriste pas sulmit me armë zjarri në qendër të kryeqytetit norvegjez, sipas BBC.

Dy persona u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën në orët e para të së shtunës, në atë që policia e ka cilësuar si akt terrorist islamik. Të shtënat ndodhën brenda dhe pranë London Pub, një klub njohur për homoseksuale, dhe dy lokale të tjera nate.

Personi i armatosur ishte i njohur për shërbimet e sigurisë që nga viti 2015 si një “islamist i radikalizuar” dhe vuante nga shëndeti mendor, tha shërbimi inteligjent PST i Norvegjisë. Pas sulmit me armë, autoritetet e Oslos anuluan paradën vjetore të homoseksualëve.

Niveli i alarmit për terror në Norvegji tani është ngritur në nivelin e tij më të lartë, megjithëse shërbimi i inteligjencës PST i vendit tha se aktualisht nuk kishte “asnjë indikacion” për sulme të mëtejshme.

Por pavarësisht kësaj, qindra njerëz marshuan nëpër rrugë gjatë pasdites, për t’u solidarizuar me komunitetin gay. “Ne jemi këtu, nuk do të zhdukemi“, thërrisnin manifestuesit. /abcnews