11 të vrarë e gjashtë të plagosur në Cetinë të Malit të Zi

11 të vrarë e gjashtë të plagosur në Cetinë të Malit të Zi

Bota August 12, 2022 - 20:00

 

Në vendbanimin Cetinë, në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi, kanë mbetur të vrarë 11 persona, ndërsa gjashtë janë plagosur, mes tyre edhe një pjesëtar i policisë, kanë konfirmuar për Shërbimin Publik malazez nga Drejtoria e Policisë.

Televizioni ka mësuar se tragjedisë i ka paraprirë një konflikt familjar, pas së cilit sulmuesi ka qëlluar rastësisht kalimtarët në rrugë. Sulmuesi ka qëlluar edhe në drejtim të policisë dhe në atë konfrontim ka mbetur i vrarë, transmeton Zeri.info.

Sipas informacioneve jozyrtare, sulmuesi është 34-vjeçari Vuk Boriloviq, i cili ka qëlluar edhe mbi fëmijët.

4 të plagosur janë shtruar në spitalin e Cetinës, ndërsa dy të plagosur janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

Qendra Emergjente tha për TVCG se një burrë u pranua me lëndime të rënda në kokë dhe gjoks. Tre pacientë u desh të dërgoheshin me urgjencë në sallën e operacionit dhe lëndimet ishin mjaft të rënda.

Po ashtu, Qendra Emergjente pret që të arrijë edhe një i lënduar nga Cetina.

Ivan Ivanoviq, Drejtori i spitalit të Cetinës tha për TVCG se dy personat të cilët janë shtruar në atë institucion janë jashtë rrezikut për jetën dhe se një pacient pas trajtimit është liruar për trajtim në shtëpi.

Ajo pjesë e qytetit u bllokua, u shtua prania e policisë dhe u mblodhën një numër i madh i qytetarëve të Cetinës.

Nga dëshmitarët okularë në vendngjarje mësojmë se sulmuesi ka kaluar nëpër lagje dhe ka qëlluar rastësisht në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty. /Zëri