Pse po rishfaqen mosmarrëveshjet për Dellçevin?

Pse po rishfaqen mosmarrëveshjet për Dellçevin?

Bota February 04, 2023 - 08:06

Edhe pse ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga viti 1903, kur revolucionari Goce Dellçev vdiq në duart e policisë otomane, kjo figurë ende nuk po gjen paqe. Shekullin e kaluar, lufta për prejardhjen e Dellçevit në historinë e përbashkët dhe narrativët e ndërthurur kombëtarë bënë që ai të varrosej, zhvarrosej dhe rivarrosej në Greqi, Bullgari dhe Maqedoni të Veriut.

Tani, maqedonasit dhe bullgarët po përgatiten për provokime të mundshme lidhur me një ceremoni të përbashkët për të shënuar 151-vjetorin e lindjes së Dellçevit pranë varrit të tij, që gjendet në oborrin e Kishës së Shën Spasit në kryeqytetin maqedonas, Shkup.

Një ngjarje e ngjashme vitin e kaluar bëri që të rriteshin masat e sigurisë, por nuk u shënuan incidente.

Por, rindezja e tensioneve bullgaro-maqedonase, përfshirë edhe një sulm të dhunshëm para dy javësh ndaj një shtetasi maqedonas, të identifikuar si bullgar, shkaktoi një përkeqësim në nivelin diplomatik javën e kaluar. Këto tensione rritën frikën e maqedonasve se qëllimet thelbësore kombëtare vazhdojnë të mbesin peng i tekave të fqinjit të tyre që është anëtar i Bashkimit Evropian.

Dy shekuj ndarjesh të hidhura mbi elementet e historisë së përbashkët dhe kulturës, ngrihet pyetja pse tani tensionet u rritën shumë dhe çfarë mund të bëhet që të adresohen çështjet e pazgjidhura që kanë pamundësuar raportet e mira midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë?

Zgjedhjet bullgare

Shtysa kryesore për këto tensione mund të jetë për shkak të dështimit të Bullgarisë që të zgjedhë një udhëheqje të qëndrueshme. Zgjedhjet e parakohshme janë caktuar të mbahen më 2 prill. Ato do të jenë zgjedhjet e pesta që shteti organizon në dy vjetët e fundit, duke u shndërruar në një pengesë në përparimin e çdo negociate me Sofjen, e duke shkaktuar paqëndrueshmëri.

Në mes të kërcënimeve nga Sofja pas rrahjes brutale të Hristijan Pendikovit në Ohër muajin e kaluar, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se zgjedhjet bullgare ishin “një rrethanë rënduese”.

Ruslan Stefanov, drejtor i programit ekonomik në Qendrën për Studime të Demokracisë në Sofje, po ashtu ka shprehur frikë se situata do të përkeqësohet, përpara se të bëhet mirë. “Kjo situatë po shfrytëzohet politikisht në dy anët e kufirit”, tha Stefanov. Sipas tij, në Parlamentin bullgar ka më shumë parti ekstremiste, por grupimi i ri nacionalist i krahut të majtë në Maqedoninë e Veriut paraqet të njëjtin problem.

“Nuk ka shumë çështje që mund të nxjerrin në pah një parti për të fituar vota. Mendoj se partitë e shohin këtë [debatin për çështjet e historisë] si një votë fituese sepse është emocionale, prek mitet historike në dy shtetet”, tha Stefanov. “E dini si është puna me mitet: edhe kur janë shumë të ngjashëm, ata kanë tendencë që të përplasen”.

Përdorimi i historisë si armë përmes “klubeve kulturore”

Dellçev ka qenë në qendër të disa prej këtyre “miteve” të kontestuara, megjithatë dallimet mund të mos vërehen nga të huajt.

Më e rëndësishmja për bullgarët dhe maqedonasit sa i përket Dellçevit është se dy palët e konsiderojnë hero që ka luftuar sundimin otoman. Por, palët kanë mospajtime sa i përket identitetit të tij kombëtar dhe qëllimeve përfundimtare të shoqërisë së asaj kohe, përkatësisht Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase (ORM), të cilës në Shkup i referohen si Organizata Revolucionare Maqedonase.

Madje është krijuar një komision i përbashkët bullgaro-maqedonas për çështjet historike dhe arsimore, me qëllim që të gjendet konsensus se si do të nderohej Dellçevi dhe disa figura të tjera, dhe si të mësojnë fëmijët në shkolla për ta. Por, rekomandimet e këtij komisioni nuk janë zbatuar. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: