Mjekët e luftës në Ukrainë tejkalojnë sfidat për të shpëtuar jetë

Mjekët e luftës në Ukrainë tejkalojnë sfidat për të shpëtuar jetë

Bota December 03, 2023 - 10:49

Ishte ende krejtësisht errësirë kur Mykyta Zavilinskyi u zgjua në orën 04:00 të mëngjesit dhe ngarendi në bazën e njësisë së tij për të evakuuar një ushtar të plagosur në fushëbetejë në rajonin e Donbasit.

Ushtari, që nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm, kishte disa plagë nga copëzat e predhave dhe kishte humbur shumë gjak.

Me plagë në këmbë dhe gjoks, lidhja e këmbës së tij me fasha ishte e pamundur, prandaj punëtorët mjekësorë ia shtypën plagët me duart e tyre.

Shoferi i makinës së tyre të llojit Mitsubishi, po udhëtonte me shpejtësi prej 150 kilometrash në orë, duke kaluar përmes zjarrit rus për në një vend më të sigurt. Teksa dielli nisi të dilte, monitorët brenda makinës treguan se niveli i oksigjenit të pacientit ishte rritur dhe rrahjet e zemrës kishin rënë.

“Partneri im dhe unë e shikuam njëri-tjetrin dhe e kuptuam se gjendja e pacientit ishte stabilizuar”, tha Zavilinskyi, 33 vjeç, duke rikujtuar evakuimin e tij të parë mjekësor nga vija e frontit në fund të prillit të vitit 2022. Ai e përshkroi këtë moment si “një prej momenteve më emocionuese” të jetës së tij.

Që atëherë, ai ka marrë pjesë në mbi 200 evakuime së bashku me anëtarët e tjerë të Batalionit mjekësor Hospitallers, që është një organizatë ukrainase e përbërë nga profesionistë shëndetësorë vullnetarë. Me ushtrinë ruse që po krye ofensiva në disa segmente të vijës së frontit, të gjatë prej 1.200 kilometrash, dhe me afrimin e luftimeve intensive gjatë dimrit, ai është i sigurt se e presin edhe shumë evakuime të tjera.

Heronj pa furnizime

Për më shumë se 20 muaj luftë kundër pushtimit rus, mijëra mjekë, infermierë dhe ndihmësmjekë ukrainas kanë shpëtuar jetë në mes të luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Për popullin, ata janë bërë simbol i këmbënguljes dhe shpresës. Por, në realitet mjekët e luftës në Ukrainë përballen me probleme të mëdha, që çuan me shkarkimin e komandantes së forcave mjekësore, Tetyana Ostashchenko, nga presidenti Volodymyr Zelensky, më 19 nëntor.

Këtij vendimi i parapriu zhgënjimi në rritje për furnizimet e pakta, akuzave për korrupsion dhe mungesën e trajnimit të mjaftueshëm mjekësor. Skandali më i zhurmshëm sillej rreth pajisjeve të lira, me kualitet të dobët për lidhjen e plagëve, pasi ato kryesisht ishin të prodhuara në Kinë. Por, pajisje të tilla për ushtarët e plagosur janë jetë a vdekje.

Më 31 korrik, ligjvënësja opozitare, Solomiya Bobrovska, tha se komanda e forcave mjekësore nuk kishte blerë pajisje për ndihmën e parë në vitin 2023, dhe ato që ishin ofruar përmes ndihmës ndërkombëtare, nuk ishin kontrolluar siç duhet.

Ostashchenko hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si të pavërtetë. Ajo tha se problemet me të cilat përballet Ukraina nuk kanë precedent në kohën moderne. Në të njëjtën kohë, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë u zotua se do të ndërmarrë “disa hapa dhe ndryshime organizative, të dizajnuara për të zgjidhur problemet në fushën e mjekësisë taktike”

Por, efektet e këtyre ndryshimeve duket se kanë qenë të pamjaftueshme dhe Ostashchenkos iu desh t’ia dorëzonte komandën Anatoliy Kazmirchukut, i cili deri sa mori postin e komandantit të forcave mjekësore kishte udhëhequr spitalin ushtarak në Kiev.

Përmes një video-adresimi, duke arsyetuar këtë ndryshim, Zelensky tha se shoqëria, veçmas komuniteti i mjekëve të luftës, kërkojnë “nivel të ri të furnizimeve mjekësore për ushtarët tanë”.

Zelensky tha se ndryshimet ishin të nevojshme.

“Nga fashat për lidhjen e plagëve, që janë të kualitetit të lartë, e deri te digjitalizimi i plotë dhe transparencë në furnizime, nga trajnime të kualitetit të lartë deri te komunikimi i sinqertë me mjekët e luftës që janë në njësi që funksionojnë mirë dhe në mënyrë efikase”, tha ai.

Në pikën e stabilizimit

Sigurimi i ndihmës së duhur të parë dhe evakuimi i shpejt nga fushëbeteja – në mënyrë ideale duhet të ndodhë brenda të ashtuquajturës ‘orë të artë’ kur gjasat për ndërhyrje mjekësore dhe kirurgjikale janë më të larta për të parandaluar vdekjen – janë vendimtare për të shpëtuar jetën e ushtarëve.

Pasi të plagosurit të largohen nga betejat, shpesh pas shumë orësh duke pritur për ndihmë, ata sillen në një pikë të stabilizimit ku mjekët përpiqen t’i mbajnë gjallë derisa të arrijnë që t’i dërgojnë në spital.

“Shumica e pacientëve arrijnë këtu në gjendje të rëndë, shpesh në prag të vdekjes”, tha për Radion Evropa e Lirë, Oleksiy Marchenko, 42 vjeç. Ai këtë deklaratë në mesin e nëntorit, gjatë një vizite në një pikë të stabilizimit pranë Bahmutit, qytetit të shkatërruar në rajonin e Donjeckut, që ra nën kontrollin e mercenarëve rusë të Wagnerit dhe forcave të tjera në maj, pas muajsh luftime të ashpra.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU: